Shën Januari, episkopi i Kishës së Beneventos në Kampania (Itali), u arrestua bashkë me shokët e tij në kohën e persekutimit të Dioklecianit (rreth vitit 305), me urdhër të guvernatorit të krahinës. Të lidhur me zinxhirë, i futën në burg dhe i torturuan. Shën Januarin e hodhën më pas në një furrë të ndezur, nga ku doli i paprekur, i ruajtur nga Hiri i Perëndisë. Tirani pati frikë se mos populli, i entuziazmuar nga kjo mrekulli, do të kthehej në masë, prandaj dha urdhër t’i pritej menjëherë koka.

Populli i Napolit u sul për ta çliruar, por shenjtori nuk i la dhe u premtoi se, me anë të martirizimit, do të bëhej mbrojtësi i përhershëm i qytetit. Me të vërtetë, në vazhdën e shekujve, shenjtori është bërë mbrojtësi i qytetit, si gjatë epidemive të ndryshme, ashtu edhe në rastet e shpërthimit të Vezuvit, kur ndërmjetimi i tij ndaloi lumin e llavës para se të shkatërronte gjithçka.

Bashkë me kokën e tij të nderuar, në katedralen e Napolit ruhet deri më sot edhe një flakon me gjakun e tij, që kthehet në lëng deri në njëzet raste gjatë vitit dhe duket si të ishte i freskët.

Shumë vite pas martirizimit të shën Januarit, kur persekutimi kishte reshtur dhe Krishterimi nisi të përhapej me shkëlqim në mbarë perandorinë, një vejushë e varfër, e quajtur Maksimiana, humbi djalin e saj të vetëm. Ndërsa ishte duke qarë e pangushëlluar, para kishës, pa të varur mbi derë një pëlhurë, në të cilën ishte pikturuar ikona e martirit të shenjtë. I erdhi në mendje shembulli i Sunamites, biri i së cilës u ngjall nga profeti Elisé (III Mbretërit 4).

Atëherë ajo mori ikonën e shenjtë dhe e vendosi mbi trupin e djalit të vdekur, siç bëri dikur profeti kur u shtri mbi fëmijën, duke e vendosur gojën e tij mbi gojën e djalit, sytë mbi sytë e tij dhe duart mbi duart e tij. Pastaj ajo e luti shenjtorin me lot të ndërmjetonte pranë Perëndisë që i biri t’i kthehej në jetë. Në çast, me ndërmjetimin e shën Januarit, Perëndia e ngjalli djalin.




Mbrapa

PayPal