Agapi, Hionia dhe Irini ishin tri motra, me origjinë nga një familje e pasur dhe me influencë në Selanik. Pas shpalljes së ediktit të Dioklecianit (304), i cili e ndalonte mbajtjen në shtëpi të librave të Shkrimit të Shenjtë, ikën nga qyteti për të ruajtur besimin e tyre dhe shkuan në një mal, pranë një liqeni. Atje jetonin me lutje, afër një asketi të shenjtë, që quhej Zoil. Trupat e tyre ishin në mal, por shpirtrat banonin në mënyrë të vazhdueshme në qiell.

Kur ati shpirtëror i shën Anastasi Farmakolitrias (22 dhjetor), shën Krisogoni, u vra me shpatë nga persekutorët, Perëndia i zbuloi Zoilit vendin ku ndodhej trupi i martirit të shenjtë, për ta varrosur me të gjitha nderimet. Disa ditë më vonë, Krisogonit iu shfaq në ëndërr dhe i bëri të ditur se, pas nëntë ditësh, tri motrat do të arrestoheshin dhe, bashkë me shën Anastasinë, do të ofronin jetën e tyre për hir të Krishtit.

Shën Anastasia nuk vonoi të shkonte në vendin ku ato jetonin, i përqafoi me dashuri dhe i inkurajoi të qëndronin të palëkundura deri në fund të përpjekjes së tyre për hir të besimit. Ajo u garantoi mbështetjen e saj, pavarësisht se kjo ishte me rrezik të madh.

Në ditën e parathënë, ushtarët e perandorit zbuluan vendin e fshehtë ku ndodheshin motrat, i kapën dhe i çuan menjëherë para guvernatorit të Maqedonisë, Dulcetit, bashkë me tri vajza të tjera të krishtera: Kasian, Filipën dhe Eftikian dhe një djalë të ri, Agathonin. Guvernatori u tha me ton të ashpër: “Të pamenda, çfarë çmendurie është kjo juaja, që të mos pranoni t’u bindeni urdhrave hyjnorë të perandorëve dhe të cezarëve?”. Pastaj iu drejtua Agathonit dhe i tha: “Po ti, përse nuk pranove të hash mishrat e ofruara perëndive, siç bëjnë ata që janë besimtarë?”. “Sepse jam i krishterë!” – iu përgjigj Agathoni. Pastaj Dulceti pyeti Agapin dhe virgjëresha e re iu përgjigj: “Unë besoj te Perëndia i gjallë dhe nuk dua të humbas dëshminë e mirë të ndërgjegjes sime”. Ai pyeti edhe Irinin, përse nuk i ishte bindur urdhrave të perandorëve. Ajo iu përgjigj: “Për hir të frikës së Perëndisë!”. Hionia dha të njëjtën përgjigje; Kasia i tha se donte të shpëtonte shpirtin e saj dhe Filipa deklaroi se ishte gati më mirë të vdiste sesa të prekte mishrat e idhujve. Eftikia tregoi po të njëjtën kurajë, por, meqenëse ishte shtatëmuajshe shtatzënë, magjistrati e mbajti në burg. Pastaj nisi përsëri marrjen në pyetje dhe u përpoq ta bindte Agapin. Ajo i tha: “Nuk është mirë t’i nënshtrohesh satanait. Ti nuk do t’ia dalësh të kthesh vendimin tim, që është i pandryshueshëm”. “Kush ju ka tërhequr në këtë marrëzi?”- pyeti Dulceti. “Është Perëndia i tërëfuqishëm dhe Biri i Tij i vetëm, Zoti ynë Jisu Krisht!”- i tha Hionia. Guvernatori, kur pa se nuk mund t’ua dilte dot, shpalli vendimin: “Unë i dënoj Agapin dhe Hionin të digjen të gjalla, meqenëse kanë vepruar me kokëfortësi të madhe kundër vendimeve hyjnore të augustëve dhe besojnë e ushtrojnë ende fenë e ligë të të krishterëve, që është diçka e urryer për të gjithë njerëzit besimtarë. Sa i takon Agathonit, Irinit, Kasias dhe Filipës, do të mbahen në burg, për shkak të moshës së tyre të re”.

Të nesërmen e ekzekutimit të të dyja shenjtoreve, Irinin e çuan përsëri në gjykatë, me pretekstin se te shtëpia e saj kishin gjetur Shkrimet, ndonëse ajo nuk kishte pranuar se i kishte. Dulceti e kërcënoi me vdekje, por i tha se do ta shpëtonte, nëse pranonte t’u ofronte sakrificë idhujve dhe të hante mishin e ofruar. “Në asnjë rast nuk do të bëj një gjë të tillë, – u përgjigj shenjtorja, – sepse ndëshkimi i përjetshëm i pret ata që mohojnë fjalën e Perëndisë, i Cili na ka mësuar ta duam deri në vdekje. Prandaj, më mirë preferojmë të digjemi të gjalla, se të dorëzojmë këto Shkrime!”. Pasi i morën sërish në pyetje dhe shërbëtorja e Perëndisë tregoi përsëri guxim, guvernatori urdhëroi ta çonin lakuriq në një shtëpi publike. Por hiri i Shpirtit të Shenjtë e mbrojti virgjëreshën e Krishtit dhe askush nuk guxoi t’i afrohej ose t’i drejtonte fjalë fyese. E çuan përsëri para Dulcetit, i cili e pyeti: “Ende vazhdon të këmbëngulësh në marrëzinë tënde?”. “Jo në marrëzinë time, por në adhurimin e Perëndisë së vërtetë”, – iu përgjigj ajo. “Atëherë, – i tha ai, – do të marrësh ndëshkimin që i shkon për shtat paturpësisë sate”. Dhe dha vendimin si më poshtë: “Meqenëse Irini nuk ka pranuar t’u bindet urdhrave të perandorit dhe të ofrojë sakrificë, duke ngulur këmbë në besimin e saj të krishterë, urdhëroj të digjet e gjallë, njësoj si motrat e saj!”.

Ditën tjetër ushtarët e çuan te vendi ku ishin ekzekutuar të motrat. Atje ndezën një zjarr të madh dhe e urdhëruan të hidhej vetë aty brenda. Irini hyri në mes të flakëve duke psalur e duke lavdëruar Zotin dhe, si një sakrificë erëmirë, ia ofroi veten Atij.




Mbrapa

PayPal