I mbetur jetim pas vdekjes së prindërve gjatë një epidemie murtaje që shfarosi Konstandinopojën dhe krahinën rrotull, në vitin 747, shën Platoni iu besua njërit prej ungjve të tij, përgjegjësit kryesor të thesarit të perandorisë. Ai mori një edukim kaq të shkëlqyer, sa njerëz të sërës së lartë kërkonin shoqërinë e tij. Por i riu ndiente neveri për marrëdhëniet e botës dhe jetën sipërfaqësore të oborrit, prandaj largohej sa më shpesh që mundej dhe shkonte të lutej në kisha e manastire. Më në fund, dashuria e Perëndisë fitoi mbi tërheqjen e botës, ndaj Platoni çliroi skllevërit dhe, pasi u siguroi pajën dy motrave, ua shpërndau të varfërve pasurinë e tij të madhe.

Pas kësaj shkoi në malin Olimp të Bitinisë, i shoqëruar nga një shërbëtor. Kur mbërritën te një shpellë, preu flokët dhe shkëmbeu me shoqëruesin rrobat e shtrenjta. Pas kësaj u paraqit në manastirin e Simboleve me një veshje të thjeshtë. Igumeni dhe themeluesi i manastirit, Theoktisti, në fillim ngurroi ta pranonte në manastir këtë aristokrat të mësuar me jetë luksoze. Por shpejt e kuptoi se gabohej dhe i ndiqte me admirim përparimet e murgut të ri. Platoni e shoqëroi largimin e tij të përsosur nga gjërat e botës (apotagi), me nënshtrim të plotë ndaj atit të tij shpirtëror (ypotagi). Me bekimin e tij, ndërmori ushtrimet më të rënda asketike dhe mori kryqin e tij me kënaqësi, që të imitonte Krishtin. Kjo ishte arsyeja që përparonte çdo ditë në poshtërimin e mishit, me agripnitë, me lotët dhe, mbi të gjitha, me përulësinë, që është themeli i çdo virtyti. I mbrojtur nga kurthet e demonit të krenarisë së kotë, me anë të rrëfimit të të gjitha mendimeve, digjej në shpirt nga dëshira e madhe për të imituar plotësisht përulësinë e Krishtit, prandaj braktisi punën e tij të preferuar: kopjimin e dorëshkrimeve, për t’u shërbyer vëllezërve. Ai merrte përsipër të gjitha punët e rëndomta, si transportimin e plehut apo mbrujtjen e brumit për bukë. Theoktisti, për ta vënë në provë, në disa raste e akuzonte para të huajve se kishte gabuar dhe e qortonte me rreptësi për gjëra që ai nuk i kishte kryer. Platoni i shikonte si fitim dhe lavdi qortimet dhe fyerjet dhe ulte kokën e kërkonte falje me lot, pa u munduar të shfajësohej.

Këto virtyte tërhoqën dashurinë e atit të tij shpirtëror dhe të të gjithë njerëzve që kishin frikë Perëndinë. Kur Theoktisi ndërroi jetë, e detyruan të merrte drejtimin e manastirit, edhe pse nuk e donte (770). Kjo detyrë e re ishte për Platonin një rast për të arritur në përparime të reja shpirtërore. Ai jetonte i veçuar, gjatë javës ushqehej me perime të pagatuara dhe merrte ushqim vetëm ditët e diela, bashkë me murgjit e tjerë në tryezën e përbashkët. Shfaqej i përkorë në të pirë dhe pinte ujë një herë në dy ditë, madje edhe një herë në javë. Në këtë mënyrë ai e drejtonte komunitetin e tij dhe ishte i pari në zellin për lutje, duke qëndruar para murgjve të tjerë në ngjitjen drejt malit të soditjes shpirtërore. Kohën që nuk e kalonte në lutje, merrej me kopjimin e veprave të Etërve të shenjtë, me një shkrim të bukur dhe elegant. Në këtë mënyrë fitoi njohje të shkëlqyer të traditës së Kishës dhe arriti të ndikonte në parimet e reformës së jetës murgërore, që ishte bërë e domosdoshme pas trazirave të ikonoklazmës.

Në kohën e persekutimit të Konstandinit V Kopronimit (780), ndërmori një udhëtim në Konstandinopojë, ku të afërmit e pritën sikur të ishte ngjallur së vdekurish. Pamja e tij asketike, ëmbëlsia, hiri i fjalëve të tij plot me mësime ungjillore, bënë për vete mbarë kryeqytetin. Duke u bërë gjithçka për të gjithë, si një apostull i ri, ai i korrigjonte ata që kishin rënë në herezi, u mësonte të martuarve dëlirësinë, u këshillonte të rinjve virgjërinë. Ngushëllonte të pikëlluarit, pajtonte ata që ishin ndarë, u bë mjeku i shpirtrave dhe këshilltari i atyre që kishin përgjegjësi në shoqëri, duke u frymëzuar të gjithëve dëshirën për përsosmëri. Platoni tërhoqi në jetën murgërore të motrën, Theoktistin, bashkë me të shoqin, Fotinin, dhe të tre bijtë e tyre: Theodhorin (11 nëntor), Josifin (14 qershor), Efthimin dhe motrën e tyre, si dhe vëllanë e Fotinit dhe miq të tjerë të tyre. Pasi nuk pranoi të merrte drejtimin e një prej manastirive të kryeqytetit dhe fronin e mitropolitit të Nikomedisë, shenjtori u tërhoq bashkë me ta në pronën familjare të Sakudionit, që e transformuan në një manastir komunitar.

Ky manastir, i themeluar duke u mbështetur fort në traditën e Etërve të shenjtë, pati në një kohë të shkurtër mbi njëqind murgj dhe u bë modeli i manastireve të tjera të kohës. Vëllezërit jetonin të bashkuar ngushtësisht me igumenin e tyre, si gjymtyrët e trupit me kokën, por Platoni kishte një dëshirë të madhe për vetmi. Kur pa cilësitë e jashtëzakonshme të shën Theodhorit dhe pasi e përgatiti me ashpërsi për të pasur sukses në një përpjekje të tillë, ia la atij drejtimin e manastirit me pretekstin e një sëmundjeje që ishte shfaqur në atë kohë dhe u tërhoq në vetmi (794). Këtë detyrë të re, që është bindja më e vështirë për një murg, Theodhori e kryente i nënshtruar dhe i bindur ndaj atit të tij shpirtëror. I mësonte dishepujt vetëm në emrin e Platonit dhe duke kërkuar lutjet e tij, madje edhe pasi shenjtori vdiq.

Fatkeqësisht, paqja e manastirit u trazua nga skandali që shkaktoi bashkimi kurorëshkelës i Konstandinit VI me Theodhotën, zonjën e shoqërimit të së ëmës, një e afërme e Platonit dhe e Theodhorit. Të dy shenjtorët, duke hedhur tej çdo frikë të botës, kundërshtuan këtë lidhje të paligjshme të sovranit, që shkelte çdo ligj të Kishës. Perandori e thirri Platonin në Konstandinopojë dhe u mundua ta bindte të pranonte vendimin e tij. Por, pohuesi i guximshëm i besimit, si një Pararendës tjetër, ia përplasi me zë të lartë në fytyrë: “Nuk të lejohet të kesh gruan e vëllait tënd!” (Mk. 6:18). E lidhën sakaq me zinxhirë dhe me urdhrin e perandorit e futën në burg, në një qeli të ngushtë, ku i jepnin ushqim nëpërmjet një të çare të vogël. Komuniteti i Sakudionit u shpërnda, manastiri u plaçkit dhe shën Theodhori u internua në Selanik, bashkë me njëmbëdhjetë nga murgjit e tij.

Pak kohë më pas, kur një komplot i pallatit shfronëzoi Konstandinin VI, perandoresha Irini, tashmë e vetme në pushtet, e liroi Platonin, solli Theodhorin nga internimi dhe murgjit u kthyen në Sakudion (797). Por, të detyruar nga kërcënimi i sulmeve arabe, e braktisën manastirin për të gjetur strehë në Konstandinopojë, ku perandoresha u ofroi manastirin e Studionit, i cili ishte shkatërruar gjatë përndjekjes ikonoklaste. Platoni ia la përsëri drejtimin Theodhorit dhe jetoi i izoluar në një qeli, çatia e së cilës ishte veshur me plumb, që e bënte akull të ftohtë në dimër dhe të përvëluar në verë, njësoj si furra e Babilonit. Ky vend i errët u bë për të arena e betejave të reja, dy herë më të vështira se më parë. Mbante një zinxhir të rëndë të lidhur në këmbë, por shpirti i tij lartësohej gjithmonë drejt qiellit me anë të soditjes, duke mos përbuzur shoqërinë me vëllezërit e tjerë. Platoni ishte i gatshëm në çdo kohë për t’i takuar, që t’i ngushëllonte në sprovat e tyre, për t’i nxitur në betejën shpirtërore dhe në durim, ose për t’u mësuar doktrinën e Etërve të Shenjtë të Kishës.

Të ngjashëm me Moisiun dhe Aaronin, Platoni dhe Theodhori drejtuan popullin e zgjedhur të murgjve të manastirit të Studionit në Ligjin e Perëndisë dhe treguan zell të zjarrtë për respektimin e traditave të shenjta të Kishës. Për këtë arsye, ata e kundërshtuan në emër të kanoneve të shenjta dhe jo për shkak të ndonjë armiqësie personale, ngritjen prej rangut të laikut në detyrën e patriarkut të shën Niqiforit, (806, shih 2 qershor). Ushtarët e perandorit i dëbuan me dhunë nga manastiri dhe gjatë një viti vuajtën persekutime mizore. Më pas u dënuan nga një mbledhje e episkopëve që i ishin nënshtruar sovranit. Platoni iu dorëzua disa pseudomurgjve dhe e mbyllën në mënyrë të paturpshme në një qeli në ishullin e Oksia, në arkipelagun e Princave, ku i refuzonin edhe kujdesin më elementar për shëndetin e tij të rrënuar.

Kur mësoi se shenjtori ishte në prag të vdekjes, perandori Niqifori I deshi ta anulonte vendimin e marrë, por u vra gjatë një beteje kundër bullgarëve (29 qershor 811), para se të jepte urdhrin për çlirimin e studitëve.

Me urdhër të sovranit të ri, Mihaili I, të dënuarit u kthyen përsëri në manastirin e tyre, por Platoni nuk jetoi më si i izoluar. I detyruar për t’i dhënë paksa lehtësim trupit të tij të sëmurë, edhe pse i vinte keq për këtë gjë, iu desh të qëndronte shtrirë në qelinë e tij në manastir, duke u lutur dhe duke medituar pa pushim në zemrën e tij dhe duke e mbështetur komunitetin me anë të këshillave.

Gjatë Kreshmës së Madhe të vitit 814 u sëmur rëndë dhe, kur e çuan pranë varrit që e kishte hapur vetë, aty thirri i lehtësuar: “Ky është vendi i çlodhjes sime!”. Shumë njerëz të shquar erdhën aty për ta takuar, midis të cilëve edhe patriarku shën Niqifori. Ata të dy ishin pajtuar dhe madje ushqenin një dashuri të madhe për njëri-tjetrin. Pasi i fali persekutorët e tij, në imitim të Jisu Krishtit, shenjtori u rrëfeu Theodhorit dhe murgjve se nuk kishte mbajtur kurrë pasuri të tijën, por gjithçka ua kishte dhuruar të tjerëve. E dorëzoi shpirtin te Perëndia të shtunën e Llazarit, duke psalur himnin: “Të vdekurit do të ngrihen, ata që janë në varr, do të ngjallen, dhe ata që janë të varrosur, do të gëzohen”. Gjatë varrimit të tij, të kryer nga patriarku në prani të një turme të madhe, shën Theodhor Studiti mbajti fjalimin e përmortshëm për asketin e shenjtë, duke dhënë me fuqi dëshminë e dashurisë së nxënësit për atin e tij shpirtëror.




Mbrapa

PayPal