Shën Savini lindi në një nga familjet më të famshme të Ermopolit, buzë Nilit dhe u bë i njohur për përpjekjet në mbështetje të Krishterimit. Për këtë arsye, sapo nisi persekutimi i madh i Dioklecianit (rreth 303), e kërkuan njerëzit e perandorit. U fsheh bashkë me gjashtë të krishterë të tjerë në një kasolle disa kilometra larg qytetit, ku vazhdonin të luteshin dhe të kreshmonin. U denoncuan nga një lypsar, të cilit Savini i kishte dhënë shpesh lëmoshë. I kapën dhe nisën t’i torturonin jashtë qytetit, në prani të guvernatorit Arian.

Kur pa guximin e shenjtorit, ai urdhëroi që të fshikullohej egërsisht, derisa e mbuloi gjaku, me bindjen se do të mohonte Krishtin. Ngaqë qëndronte i heshtur para pyetjeve të qeveritarit, njëri nga të pranishmit tha se Savini kishte humbur mendjen. Martiri atëherë u përgjigj: “Nuk është kështu. Sepse kam arsye, prandaj dhe refuzoj të mohoj Krishtin dhe t’u sakrifikoj idhujve!”.

Më pas, teksa po lundronin në lumë për t’u kthyer në qytet, ujërat papritmas nisën të egërsoheshin, si në furtunë, dhe anija që transportonte qeveritarin dhe Savinin për pak sa nuk u mbyt. Sapo mbërritën në destinacion, Ariani e nxori Savinin para gjykatës, duke e akuzuar se kishte përdorur magji për t’i shpëtuar gjykimit.

Savini pohoi se ishte i krishterë dhe se kurrë nuk do të mohonte Zotin dhe u kërkoi që ta merrnin sa më shpejt vendimin për vdekjen e tij, e cila për të ishte porta për në jetën e përjetshme. E shtrinë përtokë, ia lidhën gjymtyrët në katër hunj, dhe i kaluan mbi trup pishtarë të ndezur, por shenjti nuk pushoi së rrëfyeri Krishtin, që për të ishte e vetmja shpresë.

Paganët, kur panë vendosmërinë e tij, i lidhën një gur të madh në këmbë, e hipën në një varkë dhe e hodhën në lumë. Në lutjen e fundit ai vetë paratha se trupin do t’ia gjenin të krishterët pas tri ditësh. Kështu ndoshi dhe ata e varrosën denjësisht, ashtu siç u ka hije martirëve të Zotit, së bashku me gurin, që kishte qenë mjeti për martirizimin e tij.




Mbrapa

PayPal