Shën Neofiti lindi nga prindër të krishterë në Nikea në fillim të sundimit të Dioklecianit (rreth 290). Që në moshë shumë të re tregoi virtyte të larta dhe i nxiste fëmijët e tjerë të donin Krishtin dhe të zbatonin porositë e Tij. Shpesh bukën e tij ua jepte më të varfërve, dhe një ditë, kur ishte vetëm 9 vjeç, me anë të lutjes bëri që të dilte një burim uji dhe qumështi, për të ngopur shokët e tij.

Pak kohë më vonë, një natë, kur e ëma po lutej se çfarë të ardhme kishte ruajtur Perëndia për të birin, një pëllumb zbriti nga qielli dhe qëndroi mbi shtratin e Neofitit dhe, duke marrë zë njeriu, deklaroi se qe dërguar nga Shpirti i Shenjtë për të mbrojtur fëmijën nga çdo dredhi e të ligut. E çuditur, gruaja e mjerë ra e vdekur, por Neofiti, që u kthye atë çast në shtëpi, e ngjalli të ëmën me anë të lutjes së tij. Pëllumbi u shfaq sërish para të dyve, e mbuloi djalin me krahë dhe e porositi të largohej, ashtu si Abrahami, larg të tijve dhe nga atdheu, që të fitonte jetën e përjetshme.

Shërbëtori i ri i Perëndisë u nis për në malin Olimp në Bitini dhe u bë një nga eremitët e parë të asaj zone, e cila do të bëhej, shekuj më vonë, një nga vendet e larta të murgërisë bizantine. I drejtuar nga pëllumbi, shenjti mbërriti në një shpellë të paarritshme nga njerëzit, dëboi vetëm me zërin e tij luanin e tmerrshëm që banonte aty, dhe qëndroi në lutje e soditje të mrekullive të Perëndisë, duke marrë si ushqim bukën qiellore që i sillnin engjëjt. Në moshën 11-vjeçare, mori prej qiellit urdhrin të kthehej në botë, që t’u qëndronte pranë prindërve në ditët e tyre të fundit. U bind dhe jetoi në qytet si engjëll, pa lënë asgjë nga asketizmi që ushtrohej. Pas vdekjes së prindërve, ua shpërndau të varfërve gjithë pasurinë e tij, pastaj u kthye në shpellë.

Kur ishte 15 vjeç, me urdhër të perandorit erdhi në Nikea nënprefekti për të persekutuar të krishterët, dhe terrori sundonte kudo. Neofiti mori nga Perëndia urdhrin të shkonte në qytet, që të merrte kurorën e lavdishme të martirit. Arriti në Nikea ditën kur i gjithë populli ishte mbledhur në amfiteatër për të kremtuar një festë. U hodh në mes të arenës, duke shpallur vetëm Krishtin, Perëndinë e vërtetë. U kap nga rojat, të cilët filluan ta fshikullonin, por gjatë goditjeve shenjti thërriste, duke i nxitur paganët të besonin Krishtin. Me trupin e shqyer nga goditjet me thonj hekuri, e hodhën më pas në furrën e ndezur, por, kur e nxorën pas 3 ditësh, ishte i pacenuar, si të Tre Djemtë në flakë qëmoti në Babiloni (Dan. 3). Atëherë tirani e hodhi te bishat, por, i veshur me hirin e Perëndisë, si Adami në Parajsë, martiri i shenjtë e paqësoi egërsinë e tyre. Kur i lëshuan një luan të tmerrshëm, që frikësonte turmën vetëm me ulërimën e tij, bisha e njohu për çudi fëmijën, i cili më përpara kishte ardhur të banonte në strofkën e tij, u qetësua dhe erdhi të luante në këmbët e tij duke i tundur bishtin. I pushtuar nga tërbimi, më egërsisht se bishat që i lëshoi shenjtit të Perëndisë, qeveritari rrëmbeu heshtën e një prej ushtarëve dhe e shpoi drejt e në zemër Neofitin, duke i siguruar palmën e martirizimit.




Mbrapa

PayPal