Apolinaria ishte bija e Anthimit, magjistrat i fuqishëm në Romë, në kohën e perandorit Leon I (rreth 470), dhe ua kalonte në bukuri e në urtësi shumicës së vajzave të asaj kohe. E rrëmbyer që në rini nga dashuria për Zotin tonë Jisu Krisht, mori bekimin nga prindërit, si rezultat i përgjërimeve të saj këmbëngulëse, që t’ia përkushtonte dëlirësinë Krishtit dhe të nisej për një pelegrinazh në vendet ku vuajti Zoti.

Kur arriti në Jerusalem, ajo u dha lirinë skllevërve e shërbëtorëve të shumtë të shpurës që e shoqëronte, shpërndau te të varfrit para, veshje, stoli, dhe u drejtua për në Egjipt, në Parajsën e asketëve, e shoqëruar vetëm nga një eunuk dhe një shërbëtor plak. Kur mbërritën pranë Aleksandrisë, u shkëput prej tyre dhe shkoi në një pyll atje afër, ku qëndroi për vite me radhë, duke ia nënshtruar mishin frymës me tërë llojet e ushtrimeve dhe duke duruar sulmet e pandërprera të mushkonjave, nga pickimi i të cilave lëkura e saj delikate u ashpërsua si zhguall breshke.

Prej andej shkoi në qendrën e famshme murgërore të Skithës, duke e hequr veten si eunuk me emrin Dhorothe. Jeronti që kishte autoritetin mbi eremitët, pas shën Makarit, i dha një qeli, ku e lumura të këmbëngulte në lutje, ditë e natë, pa u turbulluar nga asgjë e kësaj bote.

I ati, Anthimi, i pikëlluar thellësisht për zhdukjen e së bijës, kishte edhe një vajzë tjetër, të cilën e kishte pushtuar një demon i frikshëm. Duke mos shpresuar më në ndihmën njerëzore, ai e dërgoi pranë etërve të Skithës, që ata të luteshin për të, dhe këta ia besuan eunukut Dhorothe, i cili, pas shumë përgjërimesh, e dërgoi të motrën plotësisht të shëruar në shtëpi.

Pak pas kthimit të vajzës në shtëpinë e të atit, ajo vuri re se ishte shtatzënë. Anthimi dyshoi për murgun Dhorothe dhe, pa vonuar, e thirri. Sa gëzim pati kur zbuloi se ai që kishte çliruar bijën e tij të vogël nga demoni ishte Apolinaria e tij e shtrenjtë, për të cilën ishte dëshpëruar së tepërmi. Pas disa ditësh, shenjtorja shkoi në qeli. I kërkoi familjes që ta mbante të fshehtë këtë gjë, e cila u zbulua nga etërit e Skithës në çastin kur vdiq.




Mbrapa

PayPal