Shën Mironi lindi në Avrakia të Kretës, në një familje të krishterë. Ende i ri, u martua dhe punoi si bujk. I shtyrë nga dashuria për të afërmin, u shpërndante shumë lëmosha të varfërve, dhe sa më shumë jepte, aq më të shumta i kishte të korrat.
Një ditë, gjeti në magazinën e grurit disa burra që po e vidhnin. Babëzia e tyre ishte aq e madhe, saqë i mbushën deri në majë thasët dhe nuk mundnin dot t’i lëviznin vendit. Kur Mironi i kapi duke vjedhur, nuk i dëboi, por i ndihmoi t’i ngarkonin thasët. I porositi mos t’i tregonin njeriu se çfarë kishte ngjarë, për të mos e humbur shpërblimin.
Virtytet e denjësuan për priftërinë dhe në fund të Persekutimit të Madh të Dioklecianit, u hirotonis episkop i Gortinës dhe kryepiskop i Kretës. Përveç urtësisë së tij të madhe, e ndihmoi grigjën e tij shpirtërore edhe me anë të mrekullive të shumta.
Shën Mironi drejtoi për shumë vjet grigjën që iu besua, duke derdhur pa kursim hirin e Perëndisë që i qe dhënë. Fjeti në paqe, rreth moshës 100-vjeçare (viti 350).




Mbrapa

PayPal