
Se si Matia u bë një nga 12 apostujt, e mësojmë nga Veprat e Apostujve. Pas tradhtisë së Judës dhe Ngjitjes në Qiell të Zotit tonë, të 11 nxënësit bashkë me Shën Marinë ndodheshin në sallën e sipërme. Atëherë Petroja propozoi që të zgjidhej një tjetër në vend të Judës. Ai do të zgjidhej nga radhët e atyre që pasonin dhe i shërbenin Krishtit.
Propozimi i tij u pranua dhe u paraqitën dy kanditatët: Josifi, i quajtur Barsaba, që ishte i mbiquajtur Just, dhe Matia. Atëherë duke u lutur thanë: “Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin nga i cili Juda u largua për të shkuar në vendin e tij”. Atëherë hodhën short dhe shorti ra mbi Matian dhe ai iu shtua të 11 apostujve. Për jetën e mëpastajme të Matias dimë se predikoi Ungjillin në Etiopi, ku dhe u martirizua.
Mbrapa
