Lindi në një familje të pashkolluar, por shumë të devotshme, në një fshat të Vologdës. U edukua duke shkuar shpesh në kishë. Prindërit i vdiqën, kështu hyri rishtar në manastirin e Galiçit, në dioqezën e Kostromës. Igumeni i urtë dalloi dhuntitë shpirtërore dhe e nxiti të merrte kryqin e rëndë të marrëzisë më Krishtin. Andrea braktisi manastirin dhe filloi të endej rrugëve, por vizitonte shpesh starecin për t’i rrëfyer veprimet dhe mendimet. Pas vdekjes së jerontit të tij, u vendos në kishën e Ngjalljes në qytetin e Totmës, ku askush nuk e njihte. Kalonte gjithë natën në lutje dhe ditën mblidhte lëmoshë, të cilën e shpërndante përsëri tek të varfrit. Ecte këmbëzbathur, dimër e verë dhe ushqehej me bukë e ujë.

Një herë takoi kryetarin e një fisi të egër që vuante nga një sëmundje në sy. I kërkoi shenjtit ta shëronte, por Andrea u zhduk nga sytë e tij. Megjithatë, kur barbari lau sytë me dëborën mbi të cilën kishte kaluar shenjti, u shërua. I dërmuar nga asketizmi dhe privime të tjera, shën Andrea paranjohu ditën e fjetjes së tij, thirri një prift për t’u rrëfyer dhe për t’u kunguar me Misteret e Shenjta. U gjet i vdekur dhe vendi ku prehej trupi i tij ishte mbushur me një aromë erëmirë e qiellore.

Pas disa kohësh, iu shfaq në gjumë një gruaje të sëmurë, i dha Ungjillin që mbante në dorë ta puthte dhe i tha të shkonte në varrin e tij për t’u lutur. Gruaja u zgjua tashmë e shëruar.




Mbrapa

PayPal