
Angjelina lindi rreth vitit 1440. Ishte bija e feudalit të njohur shqiptar Gjergj Arianiti. Angjelina u rrit në një familje të krishterë orthodhokse. E ëma, një grua me frikë Perëndie, e rriti dhe edukoi të bijën me devotshmëri të krishterë. Angjelina mori një arsim të shkëlqyer në shtëpinë e prindërve.
Në vitin 1461, Angjelina u martua në Shkodër me Stefanin e verbër, të birin e despotit të Serbisë, Gjergj Brankoviçit. Stefanin bashkë më vëllanë e kishin marrë peng turqit dhe e kishin verbuar. Angjelina pa te Stefani besimtarin e urtë e të përulur, që digjej nga dashuria për Perëndinë.
Pas disa vjetësh, çifti u bekua me dy djem dhe një vajzë: Gjergjin (Maksim), Joanin dhe Marinë. Kur fëmijët u rritën, u detyruan të largoheshin në Itali për t’i shpëtuar përndjekjes. Pasi ndërroi jetë i shoqi (1471), Angjelina, u vendos në Krushedol (në veri të Serbisë), ku ngriti një manastir dhe u bë murgeshë. Gjithë jetën e saj atje ia përkushtoi të varfërve. Me të drejtë atë e thërrisnin “nënë Angjelina”. Besimtarët i drejtoheshin me lutje që të çliroheshin nga sunduesit e tyre. Edhe jo-besimtarë janë shëruar prej saj, edhe u mrekulluan për madhështinë e besimit të krishterë.
Pas vdekjes së djalit të vogël, Joanit, djali tjetër, Gjergji, u bë murg dhe mori emrin Maksim. Angjelina ndërroi jetë në vitin 1520. Në vitin 1716, turqit dogjën manastirin së bashku me lipsanet. Murgeshat arritën të shpëtonin vetëm një pjesë të lipsanit të shën Angjelinës, dorën e majtë, që sot e kësaj dite ruhet në arkën e kishës së manastirit të Krushedolit.
Mbrapa
