
Oshënar Nikolla lindi në Kidoni të Kretës, në vitin 793. Në moshën 10 – vjeçare prindërit e dërguan në Konstandinopojë, për t’u bashkuar me ungjin e tij, që ishte murg i Studionit. Në këtë vend përfitoi shumë prej mësimit të shën Theodhorit (11 nëntor) dhe u bë nxënës i tij shembullor për gjithë jetën. Ai u rrit në virtyt e në urtësi dhe, pasi mori qethjen murgërore, u bë shkruesi personal i shën Theodhorit. I vdekur për vullnetin e tij vetjak, ai jetonte vetëm për Krishtin, që ishte i pranishëm në personin e atit të tij shpirtëror dhe ishte një anëtar i përulur e punëtor i komunitetit murgëror ku jetonte.
Ndërsa zbriste akoma më shumë në thellësinë e përulësisë, zjarri i dashurisë hyjnore konsumonte pasionet trupore dhe nevojat natyrore të trupit. Përmbajtja, agripnitë, qetësia dhe lutja e tij e vazhdueshme tërhoqën admirimin e të gjithë bashkëmurgjve. Ata e dorëzuan prift, të detyruar vetëm nga përulësia e tij.
Shenjti jetonte në paqe në manastir, sikur të ishte në parajsë tokësore, brenda dritës së mësimdhënieve të shën Theodhorit, kur perandori ikonoklast Leon V Armeni nisi një persekutim të ri (815). Komuniteti i Studionit u shpërnda dhe Theodhorin e internuan në fortesën e Metopas në Helespond, i ndjekur nga Nikolla, që bashkëndau me dëshirë keqtrajtimet dhe privimet e atit të tij shpirtëror. Ai kujdesej për të dhe transkriptonte shkrimet e tij, të cilat ua dërgonte fshehurazi nxënësve të shpërndarë. Këto shkrime ishin një mbështetje e fortë për çështjet orthodhokse.
Njëherë, kur kapën një prej letrave të Theodhorit, u bë e qartë për perandorin se internimi i studitëve ishte kthyer në avantazh për ta dhe urdhëroi që të dy pohuesit e besës të kamxhikoheshin pa mëshirë. Të gjakosur dhe gjysmë të vdekur mbi tokën e ngrirë, ata u shëruan duke i mjekuar plagët njëri-tjetrit me rreckat që u jepnin gardianët. Pas kësaj i internuan në fortesën e largët të Bonitës dhe më vonë afër Smirnës, ku u mbyllën në burg dhe vuajtën nga uria pothuajse deri në vdekje.
Pas vdekjes së Leonit V, më 820, Mihaili II, perandori i ri edhe pse ikonoklast, i la të lirë pohuesit e besës. Theodhori dhe Nikolla e bënë më këmbë rrugën deri në Konstandinopojë, por, meqenëse me anë të një dekreti perandorak iu ishte mohuar hyrja në qytet dhe në manastirin e tyre, ata kërkuan strehë në Halkidonë. Atje u gëzuan kur takuan patriarkun Niqifor (2 qersh.), i cili i vlerësoi jashtë mase shenjat dhe të djegurat që kishin në trupin e tyre, njësoj si shenjat e Pësimit të Zotit tonë (shih Gal. 6:17). Ata jetuan për disa kohë në manastirin e Shën Trifonit në kepin Akritas, pastaj shkuan në ishullin e Prinkipos, ku më 11 nëntor 826 shën Theodhori ia dorëzoi shpirtin e tij Zotit. Shën Nikolla, duke qenë nxënës besnik i mësuesit të tij edhe pas vdekjes, ndërtoi një banesë pranë varrit të tij dhe jetoi aty me kreshmë, agripni dhe lutje.
Gjatë persekutimit të egër në kohën e perandorit Theofil (829-842), murgjit u shpërndanë përsëri dhe iu nënshtruan keqtrajtimeve të shumta mizore. Shën Nikolla gjeti strehë në Firmopolis, një lagje evropiane e Konstandinopojës, në pronën e një gruaje të devotshme, që u bë me të vërtetë filial i manastirit të Studionit. Pas vdekjes së tiranit, kur Orthodhoksia po rimëkëmbej në saje të kujdesit të perandoreshës së devotshme Theodhora dhe të patriarkut Metod, pohuesit e besës ia dolën mbanë të ktheheshin në Konstandinopojë dhe në manastiret e tyre. Studitët, me në krye shën Nafkratin (18 prill), arritën ta lulëzonin përsëri manastirin e tyre, njësoj si në kohën e shën Theodhorit.
Më pas, kur lipsani i shën Theodhorit u kthye në Studion (shih 26 jan.), shën Nikolla u kthye atje dhe jetoi një jetë të mbyllur e të bekuar në mes të komunitetit. Por, kur fjeti shën Nafkrati, vëllezërit këmbëngulën që të bëhej ai igumeni i tyre i ri. Pas tre vjetësh, meqenëse i pëlqente më tepër qetësia, ai caktoi Sofronin e virtytshëm pasues të tij dhe vetë shkoi të jetonte si eremit në Firmopolis (850). Megjithatë, kur Sofroni vdiq, vëllezërit erdhën përsëri tek ai për t’i kërkuar atit të tyre që të kthehej. Largimi i patriarkut Ignat nga froni për shkak të mospranimit të martesës së Mihailit II për shkaqe antikanonike dhe trazirat që shkaktoi në Kishë zgjedhja e shën Fotit, u bënë shkak për mundime të reja për shën Nikollën adhuruesin e qetësisë. Duke e parë si të pavlefshme ngritjen e papritur të një laiku në rangun e patriarkut, Nikolla zgjodhi të jetonte në Prenetos, filial i manastirit të Studionit në gjirin e Nikomedisë. Atje e vizitoi edhe perandori, që donte ta bindte të pranonte situatën e re.
Por shenjti nuk pranoi. I dëbuar nga banesa e tij, shkoi të gjente strehë në Konstandinopojë, në shtëpinë e një bamirësi të pasur, të cilën e transformoi në manastir. I ndodhur në presion të vazhdueshëm për të pranuar shën Fotin dhe duke mos dashur të sillej kundër ndërgjegjes së tij, e la këtë vend për të shkuar në ishullin Prokonesus dhe nga atje për në Mitilini e më pas për në Kersonë. Pas 7 vjetësh u soll me forcë në Studion dhe qëndroi atje si i burgosur, duke provuar për dy vjet shumë keqtrajtime, derisa erdhi në fron Vasil Maqedonasi (867-886). Ai e caktoi Ignatin në fronin patriarkal dhe u përpoq të bindte Nikollën të pranonte përsëri igumeninë e manastirit të Studionit. Por shenjtori ishte i sëmurë dhe i thyer në moshë; preferoi të qëndronte larg nga shqetësimet njerëzore, duke u përgatitur për banesën e përjetshme, që e gjeti më 4 shkurt 868, në moshën 75-vjeçare.
Nëpërmjet përpjekjeve asketike dhe mohimit të vazhdueshëm të dëshirës së tij, shën Nikolla arriti të mposhtte mentalitetin mishor dhe e ofroi veten si një instrument i butë i Hirit, i cili kreu shumë mrekulli me anë të tij. Ai shëroi Evdhoksinë, gruan e perandorit Vasil, dhe Helenën, gruan e patricit Manuel, duke iu shfaqur atyre në ëndërr. Ai ua tregonte të ardhmen në mënyrë profetike atyre që vinin për ta takuar dhe paratha ditën e largimit të tij nga kjo botë. Shën Nikolla i thirri murgjit pranë vetes dhe i pyeti nëse kishin nevojë për ndonjë gjë. “Grurë!” u përgjigjën ata. Atëherë ai u tha atyre: “Ai që ngushëlloi Egjiptin në shkretëtirë, do t’ju dërgojë grurë me bollëk në tri ditë”. Dhe me të vërtetë, tri ditë më vonë pas prehjes së shenjtorit, një anije me grurë, e dërguar nga perandori Vasil, mbërriti në portin e manastirit.