
Shën Fabiani ishte një laik i krishterë i përshpirtshëm, që jetonte në Romë në kohën e shërbimit episkopal të shën Anterit (236). Pak pas vdekjes së papës, ai mbërriti nga fshati, në kohën kur besimtarët me klerin po kryenin zgjedhjen e pasuesit të tij. Kur po thërrisnin emrat e njerëzve të famshëm, për shkak të një veprimi të Përkujdesjes Hyjnore, një pëllumb zbriti nga qielli dhe qëndroi mbi kryet e Fabianit. Populli pa në këtë shenjën e zbritjes së Shpirtit të Shenjtë, njësoj si ajo e Zotit në Jordan dhe thirri “I denjë!”.
Megjithëse kundërshtoi, u fronëzua në fronin episkopal. Për 14 vite e qeverisi Kishën e Romës me shumë urtësi, në një kohë relativisht të qetë. Kjo e lejoi të riorganizonte jetën e Kishës, të nderonte martirët e shenjtë dhe të qëndronte vigjilent për ruajtjen e besimit. Ishte një nga viktimat e para të persekutimit të Decit (250) dhe u varros pranë paraardhësit të tij në varrezën e Kalistit.
Mbrapa
