
Shën Stefani lindi në fillim të shekullit VIII, në një fshat palestinez të zonës së Askalonit. Mbeti jetim nga të dy prindërit, por e mori nën kujdes xhaxhai i tij Zaharia, murg në Lavrën e Shën Savës, i cili e edukoi me dashurinë për virtytet më të larta ungjillore. Mori skimën engjëllore nga duart e tij dhe nuk e braktisi Zaharinë për 15 vjet, duke iu bindur si vetë Krishtit.
Kur xhaxhai e la për të shërbyer si igumen në manastirin e Kastelionit dhe të Shpellës (shih jetën e shën Savës, 5 dhjetor), Stefani mori përgjegjësi të tjera: punoi si bukëpjekës për dy vjet, si pritës i pelegrinëve për tre vjet. Më pas u dorëzua dhjak, shërbente dhe si kanonark gjatë shërbesave liturgjike. Të gjitha këto detyra i kryente me vetëmohim të përsosur, aq sa mendonin se ishte një engjëll nga qielli.
I zbrazur nga vullneti vetjak, përparoi pa rrezik në jetën vetmitare. Për pesë vjet, jetoi si i mbyllur brenda një qelie, dilte prej saj vetëm të shtunën dhe të dielën, pa e ndërprerë lutjen. I etur nga dashuria për Perëndinë, u largua disa metra larg manastirit, me qëllim që të mos e turbullonte asgjë soditjen e tij.
Pas 15 vjetësh pranoi disa nxënës që t’i drejtonte me urtësi e dallueshmëri. Falë betejave të tij asketike dhe lotëve, arriti në gjendjen e lumur të papasionshmërisë dhe Perëndia i dha pushtet të kryente mrekulli për të mirën e vëllezërve. Dëboi një demon nga një vajzë e vogël, të cilën e mundonte mizorisht; bëri të buronte ujë nga toka e thatë për të shuar etjen e një prej nxënësve të tij; si dhe shumë të tjera. Sipas fjalës së tij, fjeti në paqe më 31 mars 794.
Mbrapa
