
Profeti i shenjtë Osea, biri i Berit, ishte nga fisi i Izaharit dhe jetoi gjatë mbretërimit të Jeroboamit, biri i Joas dhe të pasuesve të tij, mbretër të mbretërisë skizmatike të Izraelit (ose të Samarisë, rreth 734 para Kr.). Ashtu si edhe shumë profetë të tjerë, Osea nuk ishte vetëm interpretues i mesazheve të Perëndisë për popullin e tij, por përmes jetës së tij na zbulon misteret e planeve të Perëndisë.
Në fakt, Zoti e porositi të martohej me një grua të përdalë, e cila ishte jobesnike, ashtu si populli i Izraelit nuk ishte besnik në besëlidhjen hyjnore që kishte bërë me Zotin, por ishte dhënë pas idhujtarisë.
Me tone drithëruese, Osea shpreh në profecinë e tij dashurinë e zhgënjyer të Zotit dhe kërcënimet e ndëshkimeve të tmerrshme që e presin popullin kurorëshkelës: invazioni i huaj dhe internimi. Ndonëse Perëndia ndëshkon për shpëtim, ai e do popullin që e zgjodhi për “të shfryrë zemërimin e tij të zjarrtë” (Osea 11.9). Perëndia do ta udhëheqë përsëri popullin e tij në shkretëtirë (d.m.th. në internim), si dhe në kohën e daljes nga Egjipti (Osea 2.16), që “ta tërheqë e të flasë në zemrën e tij”, dhe që në pendim e lot, gruaja të kthehet përgjithmonë drejt Dhëndrit të saj hyjnor e të gëzohet përjetësisht me paqen, dhembshurinë dhe dashurinë e tij.
Atëherë Perëndia do t’i thotë Kishës: “ti je populli im”, dhe ajo do t’i thotë: “Perëndia im!” (Osea 2.20). Ky pajtim i Perëndisë me popullin e tij do të realizohet atëherë kur Krishti të vijë, siç pohon edhe Osea, t’i çlirojë njerëzit nga pushteti i vdekjes dhe kur të thërresim në dritën e agimit të Pashkës: “Vdekja u përpi nga fitorja. Ku është, o vdekje, thumbi yt? Ku është, o had, fitorja jote?” (Osea 13.14 & I Kor. 15.55).
Pasi kreu misionin që Perëndia i besoi, Osea fjeti në paqe dhe u varros në tokën e etërve të tij. Në paraqitjen fizike ngjasonte me Joakimin, atin e Hyjlindëses, dhe më shumë me Josifin, kujdestarin e saj.