Këta martirë të shenjtë ishin ofiqarë në oborrin e mbretit të Persisë Sapori II (339-379). Kur mbreti ndërmori një përndjekje të përgjakshme kundër të krishterëve, shën Akindini, Pigasi dhe Anempodhisti, u strehuan në një shtëpi diku në qytet dhe i nxisnin të krishterët të qëndronin të fortë në besën e tyre, pa marrë parasysh rreziqet që iu kanoseshin. I kapën, i nxorën para mbretit dhe i rrahën mizorisht.

Kur mbreti blasfemoi emrin e Krishtit, iu lidh goja dhe mbeti memec nga lutjet e shenjtorëve. Por patën mëshirë për të dhe e çliruan, por tirani nuk e kuptoi këtë shenjë të fuqisë së të krishterëve. I shtrinë në shtretër hekuri të nxehtë, pastaj i zhytën në kazan me plumb të shkrirë. Nuk i cenoi asgjë, madje një nga ushtarët që rrinte pranë tyre, Afthoni, kur i pa të paprekur, u bë i krishterë. Menjëherë ia prenë kokën në vend, pa i bërë gjyq.

Shenjtorët pësuan edhe tortura të tjera, gjatë të cilave Elpidofori, një nga anëtarët e rëndësishëm të Senatit, dhe 7 mijë persë u kthyen në besim. Të gjithëve ua prenë kokat. Ndërsa Akindinin, Pigasin dhe Anempodhistin i hodhën në një gropë me bisha të egra, por përsëri i ruajti hiri i Perëndisë, gjë që bëri të mundur kthimin në besim të vetë nënës së mbretit. Shenjtorët morën kurorën e martirizimit bashkë me nënën e mbretit dhe 28 shokët e tyre.




Mbrapa

PayPal