Profeti i shenjtë Joel vinte nga fisi i Rubimit dhe ishte bir i Petuelit. Profetizoi në mbretërinë e Judesë dhe veçanërisht në Jerusalem në një kohë të vështirë për t’u përcaktuar.

Në fillim të profecisë së tij, Perëndia e lajmëron popullin e tij për dënime të këqija, simbolizuar nga dyndjet e karkalecave dhe thatësirës, të cilat do të paranjoftojnë “Ditën e Zotit”, d.m.th. ditën kur Zoti do të vijë për të gjykuar tokën. Perëndia jep kërcënime të tilla që ta shtyjë popullin në pendim: “kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me kreshmë, lot dhe vajtime. Dërrmojini zemrat tuaja dhe jo rrobat tuaja, ejani te Zoti Perëndia juaj, sepse është i mëshirshëm dhe zemërgjerë, i ngadaltë në zemërim dhe i pasur në mëshirë. I vjen keq për të këqijat që ju sjell” (Joeli 2.12-13).

Përtej këtyre kërcënimeve, profeti na shpalos një perspektivë të restaurimit të ardhshëm, të kthimit te mirësia hyjnore që do të shpërndajë Shpirti i Shenjtë mbi çdo gjë: “Dhe pas gjithë kësaj do të shpërndaj Frymën time mbi çdo mish. Dhe bijtë tuaj, dhe bijat tuaja do të profetizojnë, etërit tuaj do të shikojnë ëndrra dhe të rinjtë tuaj do të kenë vizione” (Joeli 3.1). Kjo kohë e bekuar u dha gjatë Pentikostisë dhe do njohë plotësinë e saj ditën e Ardhjes së Krishtit.




Mbrapa

PayPal