Shën Filipi lindi në Qesari të Palestinës. Nga martesa pati katër vajza, të cilat ia kushtuan virgjërinë e tyre Perëndisë dhe kishin dhuratën e profecisë (Vep. 21.8). U dorëzua dhjak nga apostujt në të njëjtën kohë me Stefanin (Vep. 6), që të shërbente nëpër tryeza dhe në vepra bamirësie.

Kur vëllazëria apostolike u shpërnda për të shpallur Ungjillin, Filipi predikoi Lajmin e shpëtimit në të gjithë Samarinë. Ai pagëzoi edhe Simon magjistarin, i cili donte të blinte me pará dhuratën e Hirit (Vep. 8).

Ai u dërgua nga Jerusalemi për në Gaza për t’i dhënë eunukut, funksionarit të lartë të Kandakës, mbretëreshës së Etiopisë, çelësin e mistereve të profecive të Isaias. Pasi e pagëzoi, u rrëmbye nga Fryma për të vazhduar predikimin.

Duke filluar nga Azoti, Filipi ungjillëzoi gjithë qytetet ku kalonte, deri në Qesari; pastaj u kthye në Azinë e vogël, në provincën e Tralisë. Atje fjeti në paqe, si ktheu shumë paganë në njohjen e Perëndisë dhe ndërtoi një kishë.




Mbrapa

PayPal