
Polikroni ishte bir i një fshatari me emrin Bardonius nga dioqeza e Gamfanetis. Që i ri, tregoi zell për studimin e Librave të shenjtë dhe për jetën asketike, saqë me lutjen e tij bëri të buronte një gurrë për lehtësimin e mundimeve të bashkëqytetarëve të tij.
Kur u rrit, u nis së bashku me shokë të tjerë për të punuar në vreshtat e rrethinave të Konstandinopojës. Edhe pse punonte rëndë, hante një herë në dy-tri ditë dhe të gjithë e admironin për virtytet. Zotërisë së vreshtit i ra në sy shërbëtori i Perëndisë dhe i dha një shumë të madhe të hollash që të kthehej në vendin e tij duke i thënë: “Kthehu në shtëpinë tënde, njeri i Perëndisë, dhe lutu për mua”. Polikroni i përdori paratë për të ndërtuar një kishë, pranë së cilës u vendos dhe më pas u bë prift.
Kur u mblodh Sinodi i Parë Ekumenik i Nikeas (325), shën Polikroni u tregua mbrojtës i zjarrtë i besimit orthodhoks. Kështu, edhe pas fjetjes së perandorit Konstandin, herezia ariane u zgjerua shumë dhe heretikët vendosën ta hiqnin qafe shenjtin.
Një ditë, teksa qëndronte përpara shenjtërores për të celebruar Misteret Hyjnore, arianët hynë në kishë, e vranë dhe e përzjenë gjakun e tij me Gjakun hyjnor të Zotit.
Mbrapa
