Shën Theofani lindi në Antioki nga prindër paganë, por u kthye te Krishti që fëmijë. U martua në moshën 15-vjeçare, por gruaja e tij vdiq 3 vjet më vonë. U pagëzua dhe u mbyll në një qeli të vogël, jo larg nga Antiokia, që të pastronte shpirtin. Mësoi se një grua imorale me emrin Pansemna (greqisht do të thotë: shumë e dëlirë) ishte bërë shkaku për humbjen e shumë shpirtrave të krishterësh, prandaj me lutje braktisi vendin e tij të qetë e shkoi tek i ati dhe i kërkoi 10 lira ar, se gjoja do të martohej për së dyti.

E ndërroi tunikën e tij të vjetër me veshje të shndritshme dhe shkoi te Pansemna. Pasi hëngri e piu me të, e pyeti se sa vjet kishte në këtë profesion të mjerueshëm. “Dymbëdhjetë vjet”, iu përgjigj ajo “por nga të gjithë burrat që kam pasur, ti je më i bukuri”. Theofani i propozoi të martoheshin duke i dhënë edhe arin që mbante me vete. I tha se do të përgatitej tashmë për dasmën. Shkoi menjëherë dhe ndërtoi një qeli pranë së tijës e u kthye te Pansemna. I tha se i vetmi kusht që kishte për t’u martuar, ishte që ajo të bëhej e krishterë.

Pas disa hezitimesh, ajo pranoi. Gjatë mësimeve të katekizmit mësoi se në Gjyqin e fundit gjithë veprimet tona do të gjykohen dhe do të shikojmë dritën ose zjarrin e përjetshëm. Ajo u prek dhe e pushtoi dërrmimi shpirtëror. Pas pagëzimit të saj, ajo çliroi skllevërit që mbante, shpërndau të mirat materiale dhe u vendos në qelinë pranë Theofanit. Përparoi kaq shumë, sa u bë e denjë të dëbonte demonët me lutjen e saj e të shëronte të sëmurët. Pas një viti e dy muajsh kthimi te Perëndia, Pansemna fjeti në paqe në të njëjtën kohë me shën Theofanin.




Mbrapa

PayPal