
Një traditë e hershme thotë se Simeoni i shenjtë dhe i drejtë, që erdhi nga Egjipti, ishte një prej 70 judenjve të mësuar në ditët e faraonit Ptoleme Filadelfit (285-246 para Krishtit), që kishin marrë përsipër të përkthenin Dhiatën e Vjetër në greqisht. Simeonit i ishte ngarkuar të përkthente librin e profetit Isaia. Kur mbërriti në vargun e famshëm, që thotë: “Ja virgjëresha do të mbarset dhe do të lindë një djalë dhe emri i tij do të jetë Emanuel (Is. 7:14), ai ishte aq i çuditur, sa mori një brisk për të hequr fjalën “virgjëreshë” dhe për ta zëvendësuar me “grua të re”. Në atë çast, një engjëll i Perëndisë iu shfaq dhe e ndaloi, që të mos e ndryshonte tekstin e shenjtë, duke i shpjeguar se, ajo që dukej e pamundur për të, ishte në fakt një profeci e ardhjes së Birit të Perëndisë. Për ta konfirmuar këtë të vërtetë, ai i premtoi Simeonit se nuk do të vdiste derisa të shikonte dhe të prekte Mesinë e lindur nga Virgjëresha.
Pas shumë vjetësh, kur Krishti u soll në Tempullin e Jerusalemit nga Nëna e Tij e Tërëshenjtë, Shpirti i Shenjtë i zbuloi Simeonit plak se kishte mbërritur koha e përmbushjes së premtimit. Ai nxitoi në Tempull, mori Fëmijën në krahë dhe i tha Perëndisë me gjithë zemrën e tij: “Tani, o Zot, përlëshoje shërbëtorin tënd në paqe sipas fjalës sate, se sytë e mi panë shpëtimin tënd” (Lluk. 2:29). Me të vërtetë, Simeoni ishte ikona e Izraelit të Dhiatës së Vjetër, i cili qëndroi në pritje për ardhjen e Mesisë dhe që tani ishte gati të largohej e t’i linte vendin dritës dhe së vërtetës së Ungjillit. Lipsani i Simeonit të drejtë dhe të shenjtë nderohej në Konstandinopojë në kishën e Shën Jakovit, të ndërtuar në kohën e perandorit Justinian.
Profetesha Ana, e bija e Fanuilit, ishte 84 vjeçe. Që nga vdekja e të shoqit, vejusha e kalonte kohën në Tempull me shpresën e ardhjes së Shpëtimtarit. Ajo është shembulli i vejushave të shenjta, i virgjëreshave dhe murgjve, që e kanë çliruar veten e tyre nga përkujdesjet e botës për të banuar gjithmonë në Tempull, duke ofruar me kreshmë, himne dhe lutje të nxehta për të pritur ardhjen e Shpëtimtarit. Dhe kur, si Ana, ashtu edhe Simeoni, panë me sytë e zemrës Krishtin që banon brenda tyre dhe e prekën Atë me anë të shqisave të tyre shpirtërore, i shpallën me gëzim dhe siguri gjithë gjinisë njerëzore se Shpëtimtari është duke ardhur në botë si “Dritë për ndriçimin e kombeve dhe lavdi për popullin e tij Izrael” (Lluk. 2:32).
Mbrapa
