
40 oshënaret dëshmore: Efterpi, Thalia, Theanoja, Theonimfi, Kaliroi, Kalisti, Klioja, Kleoniki, Kleopatra, Koralia, Ralia, Margarita, Marianthi, Melpomeni, Mosko, Urania, Pandora, Penelopi, Polimnia, Sapfoja, Terpsihori, Haidheftoja, Hariklea, Meletina, Mandoja, Athina, Akrivia, Antigoni, Aspasia, Afrodhiti, Dioni, Elpiniki, Epasmia, Eratoja, Simona, Izmini, Politimi, Adhamantia, Αnda, Rumbina.
Këto gra të shenjta kishin ardhur në Adrianopojë, në Thrakë. Të udhëhequra nga dhjaku Amun, ato ndiqnin Krishtin në rrugën që të çon në Mbretërinë e Qiejve, në atë të virgjërisë dhe të largimit nga bota. Ato u arrestuan nga Baudus, guvernatori i provincës dhe u torturuan mizorisht, sepse mohuan t’u sakrifikojnë idhujve, por qëndruan të palëkundura në lutje të pandërprerë sikur torturat të ishin të huaja për trupat e tyre. Shën Amunit ia çanë ijët ndërsa e mbanin të varur në shtyllë dhe në kokë i vunë një helmetë të skuqur.
Prifti idhujtar, që kishte qëndruar përballë tij në vendin e ekzekutimit, papritur u ngrit lart në ajër si shenjë e dukshme e zemërimit hyjnor dhe qëndroi kështu për shumë kohë, derisa ra përtokë e dha shpirt.
Martiret u çuan në Veria dhe më pas në Iraklia, që t’i nxirrnin përpara tiranit Licinius (321-323). Dhjetë nga gratë e shenjta u dogjën; tetë vdiqën me prerje koke; dhjetë të tjera dhanë shpirt pasi u goditën në gojë e në kraharor me pjesën e sheshtë të shpatës. Nga dymbëdhjetë që mbetën, gjashtë vdiqën nga shpata dhe gjashtë të tjerat u vranë duke u futur sasi metali të shkrirë në gojë.