
Shën Hermiona ishte një nga katër vajzat e apostull Filipit, dhjakonit (11 tetor). Sipas asaj që thuhet në veprat e apostujve (Veprat 21:8), ato ishin të gjitha virgjëresha dhe profetizonin. Hermiona dhe motra e saj, Eftikia, u nisën të takojnë shën Joan Theologun në Efes, por ai ishte marrë në qiejt kur ato mbërritën aty, kështu që ndoqën dishepullin e tij, shën Petronin. Hermiona e njihte shkencën e mjekësisë, por ajo dinte edhe të shëronte shpirtrat e shumë vetave që vinin tek ajo. Fama e saj si profeteshë dhe mrekullibërëse arriti deri te perandori Trajan (Pas Kr. 114). Hermionën e çuan para gjykatës së tij dhe ajo nuk pranoi të mohojë Krishtin. Për këtë arsye nisën ta godasin në fytyrë dhe kur e panë se ajo duronte me vetëmohim goditjet e tyre dhe ishte e gëzuar, sepse pa Krishtin të ulur në mes të gjykatës, në pamjen e atit të saj shpirtëror Petroni, u dorëzuan. Ajo profetizoi se perandori do të fitonte mbi persët dhe se nipi i tij Adriani do të merrte pushtetin pas vdekjes së tij, siç ndodhi edhe në të vërtetë, pak vite me vonë (Pas. Kr 117).
Adriani, kur u bë perandor, dëgjoi për famën e saj dhe e thirri përpara gjykatës. Kur e pyeti se çfarë moshe kishte dhe cili ishte atdheu i saj, ajo u përgjigj me fjalët: “Krishti im e di moshën dhe atdheun tim”. Ky guxim në të folur nuk i pëlqeu aspak perandorit. Ajo u rrah egërsisht me kamxhik, por falënderonte përsëri Perëndinë që e denjësoi të vuante për hir të Tij dhe thoshte vargje psalmesh. Kaq e fortë ishte shpresa e saj në premtimin që u është bërë atyre që kanë luftuar luftën e besimit deri në vdekje, saqë ajo nuk ndiente kurrfarë dhimbje, duke e zemëruar tej mase perandorin.
Në çastin kur ekzekutorët e saj ngritën shpatën për t’i prerë kokën, një paralizë u bllokoi duart. Por ashtu si Perëndia tregon mëshirë për të mirët dhe për të këqijtë, në të njëjtën mënyrë Shën Hermiona i shëroi ata me anë të lutjes, dhe ata besuan në Krishtin. Kështu, pasi iu shmang tërë kurtheve të të Ligut, shën Hermiona ia dorëzoi në paqe shpirtin e saj Perëndisë dhe u varros në Efes.

Mbrapa
