Ezekia, biri i Ahazit, u bë mbret i Judës në moshën 25-vjeçare (716-687). Në kundërshtim me të atin, që ishte dhënë pas idhujtarisë, për shkak të besimit të mirë ai ishte i pëlqyeshëm për Perëndinë më tepër se çdo mbret tjetër i Judës, “kështu Perëndia ishte me atë dhe ai ia doli mbanë në të gjitha punët e tij”. Qysh në muajin e parë të mbretërimit, rihapi dhe pastroi Tempullin, hoqi altarët idhujtarë, theu tendat, madje edhe gjarprin prej bronzi të Moisiut, për të cilin disa mendonin se kishte fuqi magjike dhe i ofronin sakrifica. Pasi bëri një flijim për shlyerje fajesh, ai dërgoi lajmëtarë në mbarë mbretërinë e Judës dhe të Izraelit, për të thirrur popullin që të kremtonte një Pashkë për Zotin. Pashka u kremtua me solemnitet të madh gjatë 14 ditëve, mes një gëzimi dhe ngazëllimi aq të madh, saqë nuk ishte parë diçka e ngjashme që nga përkushtimi i Tempullit në kohën e Solomonit.

Në vitin e gjashtë të mbretërimit të Ezekias, Samaria ra në duart e Asirianëve, sepse populli shkeli Dhiatën me Zotin. Vitin e katërmbëdhjetë të mbretërimit të tij, Senakiribi, mbreti i Asirisë, pushtoi qytetet fortesa të mbretërisë së Judës dhe i kërkoi mbretit një taksë të rëndë. Ezekia u dorëzoi të gjithë argjendin e ndodhur në Tempullin e Zotit dhe në thesaret mbretërore, por Senakeribi pavarësisht pagesës, u bë gati për të pushtuar qytetin. Ai dërgoi ushtrinë në Jerusalem, si dhe një delegacion për të kërkuar dorëzimin pa kushte. I dërguari takoi mjeshtrin e pallatit dhe sekretarin e mbretit dhe u tha në emër të sovranit: “Tek cili keni besim që të më kundërshtoni. Ju do të thoni se keni besim në Perëndinë tuaj? Por është e mundur që unë të ndodhem këtu pa vullnetin e Perëndisë, që ta shkatërroj qytetin? Bëni paqe me mua, dorëzojuni tek unë dhe unë do t’iu çoj në një vend plot kullotë dhe vreshta, një vend vaji dhe mjalti, që të jetoni dhe të mos vdisni. Mos e dëgjoni Ezekian, sepse ai abuzon me ju, duke thënë: “Zoti ka për të na shpëtuar!”. Perënditë e Samarisë i kanë shpëtuar banorët e saj që të mos bien në duart e mia, që Zoti të shpëtojë Jerusalemin?”. Kur ia çuan këto kërcënime Ezekias, ai çori rrobat e tij, u mbulua me një thes me hi dhe shkoi në Tempull për të kërkuar ndihmën e Perëndisë. Pastaj dërgoi të thërrisnin profetin Isaia, i cili e këshilloi të mos dorëzohej dhe të mos kishte frikë, duke pasur besimin tek Perëndia. Pas këtyre, një epidemi e pakësoi deri në dhjetë herë ushtrinë asiriane dhe në mëngjes, vendi ishte mbushur përplot me kufoma.

Pak pas këtij triumfi, Ezekia u sëmur rëndë dhe profeti Isaia e lajmëroi se duhej të përgatitej për të vdekur. Mbreti nisi të lusë Perëndisë me lot të shumtë, duke i kërkuar të kujtohej për sjelljen e tij të drejtë. Isaia nuk kishte dalë ende nga pallati, kur fjala e Zotit i bëri të ditur se Ai e kishte dëgjuar lutjen e Ezekias, se e kishte mëshiruar për hir të lotëve dhe se do t’i shtonte 15 vite jetë. Sapo Ezekia u shërua, i këndoi Perëndisë një këngë lavdërimi dhe i premtoi se do të urdhëronte të binin harpat në Tempull gjatë gjithë jetës së tij (shih Is.38, 9-20).

Zoti i dhuroi mbretit paqen në të gjithë kufijtë. Ai fitoi pasuri të madhe e një emër të madh në sytë e kombeve të tjera. Por harroi bamirësitë e Perëndisë dhe shërimin e tij të mrekullueshëm, që i ishte falur për shkak të besimit dhe u mburr për pasuritë e tij. Isaia e qortoi dhe e lajmëroi se do të vinte një ditë ku të gjitha gurët e mbledhura në Jerusalem do të çoheshin në Babiloni dhe se pasardhësit e tij do të ishin shërbëtorë të mbretit të Babilonisë. Mbreti Ezekia u pendua në vazhdim për sjelljen e tij mburravece dhe rifitoi afrimitetin me Perëndinë. Ai fjeti në paqe dhe u varros me etërit e tij.




Mbrapa

PayPal