Njëri prej të Dymbëdhjetëve. Identifikohet me apostullin Nathanail (22 prill), sepse te Mt.10:3; Mk.3:18; Llk. 6:14; Vep.1:13 renditet te nxënësit e Krishtit vetëm si Vartholomeu, ndërsa te Jn. 21:2 vetëm si Nathanail. Gjithashtu, gjithnjë përmendet së bashku me apostull Filipin (14 nëntor), ndërsa te Jn.1:46-52, pikërisht ky i fundit e solli te Jisui. Rrjedhimisht, nga dy emrat që kishte, siç e kishin zakon hebrenjtë, Joanit i pëlqente “Nathanail” (do të thotë dhuratë e Perëndisë) në vend të emrit atëror “Vartholome” (hebraisht do të thotë: bir i Tholomeut), nga i cili dimë se do të ishte më i njohur.

Rridhte nga Kana e Galilesë (Jn. 21:2) dhe u thirr nga Filipi për të njohur Mesinë, “Nazareasin”. Edhe pse si njohës i Ligjit të Dhiatës së Vjetër e priste nga Betlehemi, shkoi përfundimisht te Shpëtimtari, i Cili e lëvdoi si izraelit të kulluar. Madje i shpjegoi se e kishte parë ndërsa ishte larg, nën një pemë fiku, dhe i sapoardhuri, i habitur, thirri: “Rabi, ti je i Biri i Perëndisë”! Mësuesi e siguroi atëherë se në të ardhmen do të shihnin mrekulli më të mëdha (Jn.1:46-52). Sipas traditës, ai predikoi tek indianët, të cilëve u dorëzoi Ungjillin sipas Mattheut. Por ai u kryqëzua nga idhujtarët në Armeni. U vendos nga besimtarët në një arkë mrekullibërëse prej guri, që tërhiqte turma njerëzish.

Për këtë, të pabesët e hodhën në det. Por ajo lundroi në ishujt Lipare, në veri të Sicilisë ku e morën, siç e kishte porositur apostulli episkopin e atjeshëm. Meqenëse nuk ishin të një mendjeje, përpiqeshin ta tërhiqnin disa në një drejtim, të tjerë në drejtim tjetër. Ajo mbeti e palëvizur, derisa kryeprifti e lidhi në dy dema, të cilët e çuan lirshëm diku. Rrugës largoi një ishull të vogël aty afër që nxirrte ujëra të nxehta dhe dëmtonte Liparen!

Kur ishulli u shkretua nga agarinejtë (shekulli i 9-të), e morën banorët e Benevendos në Itali. Sa më sipër kremtohen më 25 gusht. Rreth vitit 1000 lipsani u transferua në Romë.




Mbrapa

PayPal