Një nga Shtatëdhjetë Apostujt. E paraqesin kryesisht kapitujt 4 dhe 11-15 të Veprave të Apostujve. Hierapostulli i dëgjuar i Antiokisë dhe, rrjedhimisht, udhëheqës i të krishterëve të atjeshëm, ishte një hebre levit nga Qiproja, “një njeri i mirë dhe plot me Shpirt të Shenjtë e besë”(Vepr. 11. 24).

Ishte tepër human, kishte shitur arën e tij dhe paratë i hodhi në arkën e përbashkët të Kishës.
Nga Josi, që quhej fillimisht, mori emrin Varnava (hebraisht: bir nxitës ose ngushëllues), madje udhëhoqi Pavlin (29 qershor) në fillimet e kthimit të tij në besimin e krishterë. Me porosi hyjnore u zgjodh dhe u dërgua së bashku me Pavlin në Qipro dhe në Azinë e Vogël. Ky ishte udhëtimi i parë apostolik (vitet 47-48).

Në vitin 49 morën pjesë në Sinodin Apostolik të Jerusalemit, ku çliruan të krishterët nga dispozitat judaike, por më vonë Varnava tërhiqet. Duke programuar një udhëtim të dytë, u ftohën me njëri-tjetrin, sepse Pavli nuk e donte tashmë nipin e Varnavës, shën Markun (30 tetor), sepse e kishte braktisur gjatë udhëtimit të parë.

Kështu Varnava, duke marrë me vete Markun, lundroi drejt Qipros, por të dy Apostujt, nga sa duket, kanë bashkëpunuar përsëri në vitin 56. Sipas të gjitha gjasave, Varnava veproi më pas në Aleksandri, Romë, ndoshta edhe në Milano.

Së fundi, izraelitët e Salaminës së Qipros, duke pasur smirë ndaj krijuesit e Kishës së atjeshme, e qëlluan me gurë dhe hodhën lipsanin në zjarr, i cili mbeti i paprekur (11 qershor 57 ).
Kur një heretik, kryepiskopi i Antiokisë, përpiqej të nënshtronte Kishën e Qipros, Apostulli ia zbuloi në vizion varrin e tij episkopit të Salaminës, Anthemit. Dhe vërtet, lipsani i tij i nderuar u gjet më 488, duke mbajtur në kraharor Ungjillin sipas Mattheut.
“Letra e Varnavës”, një tekst i lashtë, nuk i përket apostullit, ndërsa disa e konsiderojnë si autorin e Letrës drejtuar Hebrenjve të Dhiatës së Re.




Mbrapa

PayPal