
Oshënar Joani, i Varfri për Krishtin, lindi në Konstandinopojë në kohën e sundimit të Leonit I (457-474). Duke qenë bir i senatorit pasanik e të fuqishëm, Eftropit, shenjti mori një edukim të mirë pranë mësuesve më me famë të asaj kohe, dhe që fëmijë tregoi devotshmëri të madhe. Kur ishte 12 vjeç, takoi një ditë një murg të manastirit të Akimitëve (të Pafjeturit), i cili përgatitej të shkonte në një pelegrinazh në Jerusalem, dhe fëmija e pyeste rreth jetës së murgjve, praktikat e tyre asketike, himnet që psalnin, dhe lutjen e tyre. I gëzuar nga përshkrimi që dëgjoi për jetën engjëllore që bënin të vdekshmit, ai i kërkoi që, kur të kthehej, ta merrte me vete. Me pretekstin se do të ndiqte mësimet e leximit të mësuesit të tij në shkollë, mori nga prindërit një dorëshkrim të Ungjillit, të lidhur mirë dhe të zbukuruar me ar dhe perla. E mbante me vete si thesarin e tij më të çmuar dhe, kur eremiti u kthye nga Jerusalemi, iku fshehtazi nga shtëpia dhe nuk mori asgjë me vete, përveç Ungjillit.
Sa arriti në manastirin e Akimitëve, e preku shumë igumenin me zellin dhe lotët e tij dhe e bindi ta qethte murg dhe të vishte skimën po atë ditë, megjithëse ishte i vogël, pa e lënë të kalonte periudhën e rishtarisë. Që atëherë, Joani tregoi një zell të admirueshëm për betejat e asketizmit dhe ua kaloi në virtyt edhe murgjve më të sprovuar. Për 3 vjet hante vetëm të dielave, pas Kungatës dhe u dobësua kaq shumë, sa askush nuk mund të njihte tiparet e të riut aristokrat. Demoni, xheloz për arritjet e shenjtit, filloi luftën kundër tij. E ngacmonte me mendime dhe me kujtimin e prindërve dhe i thoshte që të shkonte e t’i vizitonte. Rrëfimet e përsëritura, shtimi i kreshmëve dhe lotët rrëke nuk arritën dot ta çlironin nga ky mendim tundues. Përfundimisht, mori nga igumeni bekimin që të shkonte në shtëpinë e prindërve, jo që t’i nënshtrohej djallit, por që të luftonte me të ballë për ballë, me fuqinë e Hirit të Krishtit dhe me lutjet e vëllezërve të manastirit. Kur doli nga manastiri, u vesh si lypsar, dhe pas shumë ditësh rrugëtim, i rraskapitur, arriti natën para derës së pallatit ku jetonin prindërit, të cilët nuk e njohën, nga asketizmi që kishte bërë. Shërbëtorët e pritën dhe e panë me mëshirë, por meqë në pallat nuk lejoheshin lypsarët, morën leje që ai të qëndronte në një kasolle të shkretë, jo larg hyrjes, që të ishte i mbrojtur nga moti i keq.
Një ditë, nëna e Joanit, e cila ende nuk e kishte marrë veten nga humbja e birit të saj të dashur, doli nga shtëpia për të shkuar në kishë dhe, duke parë lypësin e shpërfytyruar, ulur në derën e qelisë së tij, u mbush me neveri dhe dha urdhër që të qëndronte i mbyllur brenda, përndryshe do të dëbohej. Për 3 vjet Joani jetoi i mbyllur, u tall dhe u përbuz nga prindërit, u trajtua keq nga shërbëtorët dhe kalimtarët. Ende i pakënaqur nga këto vuajtje të vullnetshme, ai i ofronte Perëndisë kreshmë dhe lutje pa ndërprerje. Një natë, Krishti iu shfaq dhe i tha: “Gëzohu, Joan, sepse e munde djallin me durimin tënd dhe i shkatërrove gjithë dredhitë e tij. Koha e fundit tënd po afron, për 3 ditë engjëjt do të vijnë të të marrin dhe të të sjellin afër meje”.
Atëherë Joani i kërkoi së zonjës së shtëpisë, nëse ajo do të dëshironte, ta vizitonte para fjetjes së tij. Fillimisht, e çuditur nga kjo kërkesë, nëna e tij erdhi deri te kasollja. I varfri, të cilin e kishte përçmuar për shumë kohë, e falënderoi për mikpritjen dhe i kërkoi nëse mund të varrosej po në këtë kasolle, me veshjet që kishte. Më pas i dhuroi asaj Ungjillin e artë që i kishte dhuruar para 10 vjetësh. Zemra e nënës doli nga kraharori kur pa dorëshkrimin. Vrapoi dhe ia tregoi menjëherë të shoqit, pastaj që të dy shkuan dhe pyetën lypësin t’i tregonte se ku e kishte gjetur Ungjillin. Shenjti, me fytyrën e lagur nga lotët, u tha: “Jam Joani, biri juaj, dhe nga dashuria për Krishtin e mora këtë libër që ju më dhatë, si zgjedhë të lehtë dhe të ëmbël dhe vendosa të jetoja si i huaj”.
Gëzimi dhe hidhërimi i prindërve u përzje, e përqafuan djalin e tyre, Joanin, i cili u tregoi se çfarë kishte ndodhur me të. Pas pak, ai dorëzoi frymën e tij te Perëndia dhe prindërit e lanë trupin e tij me lot.
I gjithë qyteti i Konstandinopojës u prek nga historia heroike e shenjtit. Në kasollen e tij u ndërtua më vonë një kishë, ku Hiri i Perëndisë, nëpërmjet lutjeve të shën Joanit të Varfër, bëri shumë mrekulli.