Ky apostull i Botës së Re lindi në vitin 1797, në një fshat të vogël të distriktit të Irkutskut, në Siberi. U adoptua nga xhaxhai pasi i vdiq i ati dhe gjatë studimeve tregoi jo vetëm një inteligjencë të gjallë, por edhe shkathtësi për punët teknike, më në veçanti për rregullimin e orëve dhe në mjeshtërinë e marangozit; dhe që fëmijë e deri në ditët e fundit të jetës, kurrë nuk e panë pa punë.

U hirotonis prift pak pas martesës dhe filloi një jetë premtuese si prift i famullisë së Irkutskut, ndërkohë që në vitin 1823 erdhi nga Sinodi i Shenjtë urdhri për të dërguar një misionar në Alaskë. Kjo ftesë nuk e preku në fillim atë Joanin, i cili kurrë s’kishte ëndërruar të shkonte në mision të largët; por kur një kolon rus, i cili kishte kaluar gjithë jetën e tij në atë krahinë me vjeshtë të përhershme, i foli për devotshmërinë e aleutëve dhe për dëshirën që këta kishin për të dëgjuar fjalën e Perëndisë, zemra iu ndez nga zelli apostolik dhe vendosi të nisej në Amerikë me gjithë familjen e tij.

Pas udhëtimit prej 14 muajsh mes përmes Siberisë, ata arritën në ishullin e Unalaska, ku gjetën vetëm një kishëz të rrënuar. Megjithëse shumë nga banorët ishin pagëzuar nga misionarët e mëparshëm, shumica ende nuk njihnin të vërtetat elementare të Ungjillit dhe jetonin në degradim moral. Atë Joani e nisi duke ndërtuar një kishë me duart e veta, i ndihmuar nga disa vendës; atyre u mësonte teknikat e ndërtimit dhe në të njëjtën kohë u bënte edhe katekizëm. I duruar dhe me dashuri atërore, mësoi me shpejtësi gjuhën dhe filloi të përkthente tekstet liturgjike dhe perikopetë e Ungjillit që lexoheshin në kishë.

Vraponte kudo, ishull më ishull, duke lundruar me varkat delikate, duke predikuar, pagëzuar dhe duke zbuluar pasurinë e florës dhe të faunës të atyre krahinave ende të panjohura. Gjatë katër viteve të para të qëndrimit të tij, pati më shumë kohë të hartonte gramatikën e parë të gjuhës aleute, deri atëherë e pashkruar, dhe mundi të përkthente dhe të botonte ungjijtë, katekizmin, shumë lutje dhe një libër që e kishte shkruar vetë Udha drejt Mbretërisë së Qiejve: vepër e thjeshtë dhe e thellë, në të cilën ai tregon se udha e hapur nga pagëzimi është e vetmja që të drejton me siguri në gëzimin e përjetshëm me Krishtin. Ky libër u shpërnda gjerësisht (47 botime) dhe u përkthye në shumë gjuhë.

Tregojnë se kur mbërriti për herë të parë në një ishull gjatë udhëtimeve të tij hierapostolike, u befasua kur pa se gjithë populli kishte dalë dhe priste në breg. Një i moshuar, i cili konsiderohej si shaman për shkak të shërimeve që kryente, u kishte parathënë atyre një vit më përpara ardhjen e hierapostullit. Që kur ishte pagëzuar, tridhjetë vjet më përpara, ky njeri kishte mësuar tërë të vërtetat e besimit nga dy engjëj që i shfaqeshin vetëm atij. Të dyja qeniet qiellore e kishin mësuar të lutej me mendje dhe me zemër të pastër dhe i kishin dhënë fuqinë të kryente mrekulli.

Pas dhjetë vitesh punë hierapostolike, si nuk mbeti asnjë idhull në krahinën e Unalaskës, atë Joani shkoi në Sitka, që atëherë quhej Arkangjelsku i Ri, ngulitje koloniale e vendosur në territorin e fisit luftarak të indianëve Tlingits. Këta, të nxitur me urrejtje nga shamanët, kishin masakruar shpesh kolonët rusë dhe atje ungjillëzimi kishte qenë i pamundur. Atë Joani filloi të studionte gjuhën dhe zakonet vendase dhe zbuloi se kishin një kulturë të pasur. Një epidemi lije ishte porta që hapi Providenca, që ky popull të pranonte fjalën e Perëndisë. Më shumë se gjysma e popullsisë indiane kishte humbur jetën në këtë epidemi dhe kur panë se rusët nuk u prekën, pranuan pak nga pak të vaksinoheshin.

Suksesi i menjëhershëm i mjekësisë i bëri më të shtruar dhe më të respektueshëm ndaj rusëve dhe atë Joanin e pritën me shumë nderim. Ata shihnin shërbesat që ai kryente dhe e pyetnin për jetën pas vdekjes, aq sa ziheshin se kush e kush ta merrte i pari në shtëpi. Filluan ta nderonin kaq shumë sa një ditë, kur atë Joani vizitoi një familje, një vendas hodhi në zjarr një kuti të gdhendur mjeshtërisht, që të ngrohej njeriu i Perëndisë.

Kur u kthye në Sitka, atë Joani u mor me punimet e kishës së Kryeengjëllit Mihail, katedralja e tij e ardhshme dhe përveç punëve letrare, përkthimeve dhe shënimeve që mbante gjatë udhëtimeve, gjente ende kohë për punët e mobilierisë, të mekanikës dhe madje të ndërtimit të instrumenteve të muzikës. Këto punë dore nuk ishin për të vetëm zbavitje personale, por e afronin më shumë misionarin me popullin, ato ishin një mjet i fuqishëm i predikimit dhe u lejonte vendësve që të fitonin ndërkohë edhe një zanat.

Përveç kësaj, një nga shqetësimet e atë Joanit ishte edhe ngritja e shkollave, duke i furnizuar nxënësit me manualë shkollorë dygjuhësh, në rusisht dhe në tlingit, të cilat i kishte hartuar vetë.

Vepra hierapostolike po zgjerohej dhe kërkonte të përforcohej nga priftërinj të tjerë dhe të ndërtoheshin kisha dhe shkolla në vende të tjera të gadishullit. Në këtë perspektivë, atë Joani u nis në Rusi në 1838. Kur arriti atje, ndërsa priste mbledhjen e Sinodit të Shenjtë në Shën Petërburg, shkoi edhe në Moskë për të takuar mitropolitin Fillaret, figurën më domethënëse të Kishës Ruse në atë epokë, i cili i shfaqi menjëherë miqësinë e tij të ngrohtë dhe i tha Joanit se kishte personalitetin e një apostulli.

Tregimet e udhëtimeve të atë Veniaminovit dhe përshkrimi i zakoneve të banorëve të Alaskës tërhoqën vëmendjen e qarqeve të ndryshme dhe Sinodi i Shenjtë, tepër i impresionuar, vendosi ta ngrinte në rangun e kryepriftit dhe të vazhdonte misionin. Ndërkohë i vdiq e shoqja, dhe nën presionin e mitropolitit Fillaret, veshi skimën murgërore dhe edukimi i fëmijëve të tij u krye nga Kisha. Në vitin 1840, pas një takimi me carin Nikolai I-rë, ai u hirotonis episkop për Kamçatkën dhe Alaskën, me emrin Inocenti i Irkutskut (26 nëntor).

Kur u kthye në Sitka, pas tre vjetësh mungesë, episkopi i ri, i cili kishte sjellë me vete bashkëpunëtorë dhe dhurime të rëndësishme, nisi menjëherë ndërtimin e kishave dhe të shkollave. Themeloi një seminar në Sitka dhe u nis në një udhëtim të gjatë për të vizituar dioqezën e tij të pamasë, duke filluar nga ishulli Kodiak, më herët i shenjtëruar nga shën Gjermanoi.

Për tre vjet vrapoi për më shumë se pesë mijë kilometra përmes hapësirave të akullta dhe shpesh të paeksploruara të Kamçatkës, vetëm me një bashkëpunëtor, një slitë të tërhequr nga disa qen ose dhe vetëm më këmbë, në privime dhe në të ftohtin ekstrem. Ecja e karvanit shpesh ndërpritej nga stuhi dëbore, që i detyronin misionarët dhe udhërrëfyesit e tyre të gërmonin një strehë në dëborë dhe të prisnin për një javë derisa të pushonte.

Episkopi i duroi të gjitha këto vështirësi me durimin e apostujve, duke shkuar në strehët e vendësve, atje ku ata banonin në tenda prej mështekne, duke i shërbyer njëri-tjetrit, dhe duke organizuar kudo që shkonin kisha dhe shkolla. Në vitin 1850, zona e Jakutskut iu bashkua dioqezës së tij dhe ai mori rangun e kryepiskopit, me juridiksion mbi më shumë se dyqind mijë shpirtra. Filloi të mësonte dialektin jakut dhe vazhdoi udhëtimet e tij deri në zemër të shkretëtirës siberiane.

Kur lexoi për herë të parë ungjillin e Liturgjisë në gjuhën jakute, banorët ishin shumë të lumtur dhe morën lejë që këtë datë ta fusnin në kalendarin e të kremteve të Kishës. Zelli apostolik thellë në zemrën e tij, e shtynte të vizitonte zonat më të thella, në mënyrë që të realizohej fjala profetike: “Në gjithë dheun doli zëri i tij dhe fjalët e tij në skajet e botës” (Ps. 18.5).

Në vitin 1857, mori pjesë në Sinodin e përgjithshëm të episkopëve të Shën Petërburgut, gjatë të cilit dy episkopë u caktuan për ta ndihmuar në punën e tij, njëri për Jakutskun dhe tjetri për Sitkan. Gjatë udhës së kthimit, vendosi të vazhdonte hierapostullimin përgjatë bregut të lumit Amur, duke themeluar famulli në pjesët më të humbura të Mançurisë dhe kështu e hapi Kinën për mision përmes Veriut. Ndalonte në çdo fshat për të celebruar shërbesat, duke pasur dhembshuri për të vobektët, të mjerët dhe nevojtarët.

Më 1862, e transferoi fronin e tij në Blagovehçensk, me synimin për të jetuar gjithnjë atje. I sëmurë nga sytë pas qëndrimit të gjatë në bardhësinë e borës dhe i sfilitur nga lodhja, tashmë i plakur, Inocenti mendonte t’i kërkonte Sinodit të Shenjtë të tërhiqej në një manastir, që t’i mbyllte ditët në paqe; por nuk ndodhi kështu. Ai u caktua të pasonte mitropolitin Fillaret, i cili sapo kishte vdekur, si Primat i Kishës Ruse.

Gjatë dhjetë viteve që kurorëzuan karrierën e tij, shenjtori misionar i dha Kishës Ruse një vrull të ri, duke riorganizuar shkollat dhe institucionet bamirëse, duke goditur formalitetet burokratike, dhe mbi të gjitha, duke riorganizuar Shoqërisë Ruse të Hierapostolive, pasi këto ishin zhvilluar së shumti në fund të shekullit të XIX-të. U verbua plotësisht, por nuk mori nga cari autorizimin për të dhënë dorëheqjen, ndaj vazhdoi të merrte pjesë aktivisht në administrimin e Kishës dhe të celebronte Liturgjinë Hyjnore dhe shërbesat e tjera. Dorëzoi shpirtin e tij apostolik te Zoti në 1897, pak para kremtimit të shërbesës së Pashkës.

Për pesëdhjetë e tetë vjet shën Inoçenti kishte qenë “shërbëtor i Jisu Krishtit pranë paganëve, duke punuar në shërbesën e shenjtëruar të Ungjillit të Perëndisë, me qëllim që përmes tij paganët të bëhen një ofrim i pëlqyeshëm dhe i shenjtëruar në Shpirtin e Shenjtë” (Rom. 15.16).




Mbrapa

PayPal