
Lindi nga prindër shqiptarë dhe shpresëtarë në Vithkuq të Korçës dhe u bë rrobaqepës në Berat. Mbeti i ve për herë të tretë dhe u martua me një skllave të bukur pasi ndërroi besimin. Bëri synet me dhunë edhe fëmijët e tij, përveç njërit, të cilin të krishterët e çuan fshehurazi në Malin e Shenjtë. I inatosur, shkoi ta gjente dhe t’i ndëshkonte etërit. Ndërkaq atje erdhi në pendim, madje u qeth murg me emrin Nikodhim sipas të tjerëve shkoi në Malin e Shenjtë (Athos) sepse u pendua.
Mbas tre vjetësh vajtimesh dhe kreshmësh dëgjoi se kushdo që mohon Krishtin përpara njerëzve duhet që ta pohojë Atë përsëri para tyre (Mt.10:32-33). Aspiroi atëherë martirizimin dhe shkoi në Kafsokalive tek oshënar Akaqi (12 prill). Ai e thirri me emrin e tij, megjithëse nuk e njihte, dhe e ngushëlloi. Duke u lutur për të, iu ndriçua fytyra, ndërsa diçka si yll zbriti mbi të. Më pas i dha leje për t’u martirizuar dhe i dha një shkop për rrugës. Ai, i dobësuar prej kreshmës, iu lut që ta ndërpriste kreshmën për shkak të udhëtimit. Iu përgjigj se sidomos tani i nevojitej kreshma dhe se “njeriu nuk do të jetojë vetëm me bukë” (Mt.4:4). Nikodhimi shtoi se i trembej demonit, jeronti e këshilloi që t’i trembej Perëndisë. I pari mori uratën dhe shkopin e të dytit dhe u nis. Ndodhej akoma në Athos, kur iu shfaq Jisui, i dha zemër dhe i parashikoi martirizimet e tij.
Përshkoi pa u lodhur rrugën deri në Berat, ku e njohën, e rrëmbyen dhe e çuan te pashai. Meqenëse nuk u thye, e hodhën nga pallati i lartë i tij. Por nuk pësoi gjë dhe u ngjit përsëri duke vrapuar te pashai, i cili u tmerrua dhe do ta linte nëse nuk do t’i trembej turmës. Iu dorëzoi, pra, martirin e ri. Pasi e torturuan tri ditë, duke e çuar drejt ekzekutimit bënin në mënyrë të përsëritur sikur do ta thernin, për ta trembur. Ia prenë kokën më 11.7.1722 (ndoshta më 1709, ose më 1714), ndërsa lipsani i shenjtë lëshonte erë të mirë dhe shëronte sëmundje.
Gjatë martirizimeve të tij rastisi që banorët e zonës së Shpiragut të zbrisnin në Berat. Të gjitha fshatrat e saj, kishin vendosur të islamizoheshin për të shpëtuar nga mundimet e turqve. Por, duke parë heroizmin e oshënarit martir, fshatarët u çuditën dhe, kur u kthyen në vendin e tyre, i rrëfyen gjërat. Si rrjedhim, u penduan të gjithë, kështu që krahina mbeti e krishterë.
Nikodhim, greqisht do të thotë: fitorja e komunitetit.
Disa e festojnë më 11 korrik (sepse në këtë datë shkruhet në Sinaksarin e dëshmorëve të rinj të hartuar nga oshënar Nikodhimi i Malit të shenjtë).