Lindi në Selanik rreth vitit 1322. Mbajti mbiemrin e familjes të së ëmës, Kavasila, familje e vjetër dhe e shquar. Që i ri mori formim shpirtëror nga Dhorotheu i Vlatit, nxënës i afërt i shën Grigor Pallamait. Frekuentonte qarqe të shenjta laikësh, të cilët jepeshin te Lutja e Jisuit nën drejtimin e shën Isidor Bukiras, patriarku i ardhshëm (1347-1350). Pasi mori formimin letrar e filozofik pranë dajës, Nil Kavasila, u bë një nga etërit shpirtërorë më të njohur të Selanikut. Bashkë me vëllain, Markun, themeluan manastirin e Pantokratorit (1355), i cili mban sot emrin e tyre (Vlatadhon), para se të bëhej mitropolit i Selanikut (1371-1379). I vazhdoi studimet edhe në Shkollën e Filozofisë në Konstandinopojë.

Arriti një kulturë letrare mjaft të lartë dhe admirimi i tij për antikitetin klasik e bëri të rreshtohej në radhët e humanistëve, pa u shkëputur nga mësimi i Kishës. Gjatë qëndrimit në kryeqytet, debati mes Grigor Pallamait dhe Varlaamit rreth mundësisë për hyjnizimin e njeriut nga energjitë e pakrijuara të Hirit, tërhoqi vëmendjen e tij mbi qëllimin e jetës së krishterë, por u dha më shumë pas problemeve sociale e politike të kohës. Pas vdekjes së Andronikut III (1341), perandoria pësoi përçarje nga lufta civile mes partizanëve të Joanit V Paleologut dhe atyre të Joan Kantakuzenit, situatë e cila rëndohej edhe me revoltën e zelotëve në Selanik kundër pushtetit perandorak dhe fisnikëve.

Nikolla ishte në Selanik dhe mori iniciativën të bënte negociata midis kryengritësve dhe Joan Kantakuzenit. Më 1345, u dërgua në Veria, pranë birit dhe përfaqësuesit të Kantakuzenit, Manuelit, me këtë detyrë përfaqësimi. Por, kur u kthye prej andej, Andrea Paleologu e kundërshtoi këtë plan dhe, duke i nxitur zelotët dhe popullsinë e lagjeve të lëna pas dore, pushtoi qytetin ku strehoheshin fisnikët. Masakrat ishin të panumërta dhe Nikolla mundi të shpëtonte duke u fshehur në një pus. Qëndroi pa u shqetësuar në Selanik deri më 1347, me gjithë simpatinë që kishte për Kantakuzenin. Mendonte shkaqet e luftës civile, ndaj hartoi edhe shkrime kundër padrejtësisë sociale. Kur Kantakuzeni hipi në fron me titullin Joani VI, e thirri Nikollën në Konstandinopojë dhe e bëri këshilltarin e tij për çështje të rëndësishme të shtetit.

Nën ndikimin e dy këshilltarëve, Nikollës dhe mikut të tij të fëmijërisë, Dhimitër Kidhonisë, sovrani vendosi të tërhiqej në manastirin e Manganëve, por hoqi dorë nga ky vendim për shkak të situatës politike në Selanik. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Nikolla shkruante dhe merrte pjesë aktivisht në jetën publike në Selanik. Në shtator 1347, bënte pjesë në grupin që shoqëronte shën Grigor Pallamain, i cili ishte zgjedhur sërish kryepiskop i Selanikut; por pasi populli e hodhi poshtë bariun e tij, ata u tërhoqën në Malin e Shenjtë, ku jetuan në qetësi dhe lutje për një vit. Më 1349 u kthye përsëri në Selanik, ku zelotët ishin pajtuar me partitë kundërshtare dhe u krye edhe fronëzimi i shën Grigorit.

Më 1351, gjatë sinodit që dënoi Akindinin dhe e shpalli hezikastinë si doktrinë zyrtare të Kishës, Kavasila shpalli hapur teologjinë palamike, dhe shpalli se ishte pro për sinodin e bashkimit me Kishën Latine, por pa kompromis doktrinal, ndërkohë që miku i tij, Kidhoni, u radhit mes kundërshtarëve të hezikastisë dhe mbajti një qëndrim nënshtrimi ndaj tezave latine. Një luftë e re civile shpërtheu mes Joanit V Paleologut dhe Joan Kantakuzenit (1353), që pati si pasojë heqjen e patriarkut shën Kalisti. Emri i Kavasilës u propozua si pasues i mundshëm, por përfundimisht u zgjodh shën Filotheu (11 tetor).

Një vit më vonë, Nikolla përshëndeti me një fjalim të shkëlqyer kurorëzimin e Mattheo Kantakuzinet si perandor; por më vonë Joan Paleologu e mori pushtetin me mbështetjen e ushtarëve dhe Joan Kantakuzeni u tërhoq dhe u bë murg me emrin Joasaf. Patriarkun Filothe e hoqën dhe e internuan, dhe Kalistin e sollën përsëri në fronin episkopal. Që atëherë, Nikolla u tërhoq nga çështjet publike. Nuk e dimë nëse qëndroi deri në fund të jetës së tij një laik hezikast apo u bë murg, siç e supozojnë disa shkrime të tjera.

Gjatë kësaj periudhe të gjatë tërheqjeje, përveç një qëndrimi 2-vjeçar në Selanik, ai qëndroi në Konstandinopojë duke vizituar shpesh manastirin e Manganëve, të Ksanthopulit dhe të Studitëve. Të gjithë e njihnin si një njeri që kishte arritur majën e virtytit. I shmangu ftesat që të angazhohej në trazirat e botës, duke preferuar të qëndronte në heshtje për të hartuar dy ligjëratat e tij të mëdha: Interpretimi i Liturgjisë Hyjnore dhe Jeta më Krishtin, të cilat dëshmojnë shenjtërinë e tij dhe konsiderohen si dy kryevepra të literaturës së krishterë. Fjeti në paqe, midis 1391 ose 1397.

Në veprën e tij Jeta më Krishtin, ai tregon se si, duke marrë qenien, lëvizjen dhe jetën e vërtetë përmes Mistereve të Shenjta: Pagëzimit, Mirosjes dhe Eukaristisë dhe, duke u rritur shpirtërisht në virtyt, besimtarët mund të kuptojnë se vetë Krishti me anë të Frymës së Shenjtë vjen të banojë dhe të rritet tek ne, deri në përmbushjen e bashkimit të përsosur me Perëndinë. Shën Nikolla Kavasila, humanist në formim, por me thirrje hezikaste, tregoi se hyjnizimi dhe bashkimi më Krishtin përbëjnë qëllimin e jetës shpirtërore të çdo të krishteri dhe jo vetëm të murgjve.




Mbrapa

PayPal