Lindi në një fshat të Pontit, pranë qytetit të Trebizondës, rreth vitit 920. Rridhte nga një familje besimtarësh dhe pronarë të pasur tokash. Që në moshë të re tregoi urtësi dhe dashuri të thellë për veprat e virtytit. Një ditë, kur i ati e kishte dërguar të këqyrte pronat, u pikëllua kur pa mjerimin dhe punën e mundimshme të të varfërve. Nuk u revoltua, por filloi të meditonte rreth kotësisë së të mirave të kësaj bote. Sa mundime dhe shpresa të kota bën njeriu për të mbyllur këtë jetë të shkurtër në varr, qoftë i pasur apo i varfër! Mori atëherë vendimin të braktiste gjithçka që e lidhte me këtë jetë dhe u nis që të punonte për jetën e përjetshme mes murgjve.

Fshehurazi nga prindërit, shkoi në manastirin e Gurit të Artë, që ndodhej në një zonë të egër, mes Pontit dhe Pamflagonisë. Igumeni, i informuar hyjnisht për mbërritjen e të riut në çastin kur kremtonte Liturgjinë Hyjnore, e priti me gëzim dhe e veshi menjëherë me skimën e madhe murgërore, pa provën e zakonshme që kalojnë rishtarët.

Sjellja e të riut u bë menjëherë objekt i admirimit të vëllezërve më me përvojë: bindje absolute, pranim i punëve më të vështira, përulësi, durim. I praktikonte me zell gjithë virtytet e shenjta, por mbi gjithçka shkëlqeu në kreshmë dhe në lutje. Hante një herë në javë, pasi kungohej me Misteret e Shenjta dhe kënaqej me bukë të thatë dhe pak ujë. I çliruar nga pesha e trupit, kalonte gjithë netët në lutje dhe fytyrën e kishte përherë të lagur nga lotët.

Pas 2 vjetësh, gjatë të cilave bëri në manastir një jetë të pëlqyeshme si ajo në shkretëtirë, igumeni i dha bekimin të tërhiqej i vetëm në një qeli dhe t’i përkushtohej ekskluzivisht veprës së Perëndisë. I shtoi akoma më shumë betejat në kreshmë e agjërim dhe në dërrmimin e shpirtit. Derdhte aq shumë lot, sa dyshemeja e qelisë së tij ishte e lagësht dhe kur e pyesnin se përse qante kaq shumë, shenjti përgjigjej se nuk mund t’i përmbante lotët kur shikonte të ishte i veshur me mish të vdekshëm dhe të prishshëm. Megjithatë, Perëndia i kishte dhënë thellë në zemër vizionin e të mirave që janë ruajtur për shenjtorët në Mbretërinë e Tij qiellore. Ishte pikërisht ndjenja e padenjësisë së tij dhe frika e privimit nga jeta e përjetshme (për të cilën kishte çdo ditë një parashijim), të cilat e bënin të derdhte lotët si lumë.

Qëndroi për 12 vjet në këtë qeli dhe arriti papasionshmërinë e lumur dhe pastërtinë e zemrës. Ati i tij shpirtëror mori atëherë një zbulim të ri hyjnor për shenjtin dhe mësoi se Perëndia e thërriste Nikonin të dilte nga vendi i asketizmit të tij dhe të merrte detyrën e lartë të jetës apostolike. Ai i tha shenjtit të nisej e t’u mësonte njerëzve mëshirën e Perëndisë dhe të shpallte kudo ku Providenca do ta drejtonte: “Pendohuni, se Mbretëria e qiejve u afrua!” (Matth. 4.17), duke imituar Zotin dhe shën Joan Pararendësin. Të gjithë vëllezërit u mblodhën dhe qanë për largimin e Nikonit.

Disa ditë më vonë, meqë i ati, i shoqëruar nga shërbëtorët e tij, përgatitej për ta kapur që ta bindte të kthehej në atdhe, shenjti kapërceu mrekullisht një lumë që kishte dalë nga shtrati dhe, pasi u përkul i heshtur tri herë para të atit që vajtonte në krahun tjetër të bregut, vazhdoi rrugën e tij pa u kthyer pas (Lluk. 9.62).

Si shën Joan Pagëzori, predikonte pendimin dhe ardhjen e pritshme të Krishtit (Matth. 3). Shën Nikoni shkonte më këmbë nëpër rrugë, qytete dhe fshatra; veshur me një tunikë të varfër, këmbëzbathur, ushqehej me ç’mblidhte, duke u u shpallur të gjithëve pendimin dhe mesazhin e shpëtimit nëpërmjet pendimit, lotëve dhe mundimeve të jetës engjëllore. Sipas porosisë së Zotit, ai nuk mbante as shkop, as trastë, as bukë, as para (Lluk. 9.3). Shkonte atje ku Perëndia e çonte, edhe në sprova nga ana e djajve, duke e mbajtur shpresën vetëm në jetën e përjetshme.

Pas 3 vjetësh predikimi, u nis për në ishullin e Kretës, i cili sapo ishte çliruar nga një pushtim i gjatë dhe i dhimbshëm arab nga Niqifor Fokai (961). Situata morale e banorëve ishte e rënë dhe virtytet e krishtera ishin përçmuar dhe injoruar. Ndoshta i shoqëruar nga shën Athanas Athoniti, miku i perandorit (5 korrik), Nikoni përhapi atje për 7 vjet mesazhin e pendimit dhe kontribuoi gjerësisht për rivendosjen e jetës së krishterë. Nga Kreta, u kthye në Greqi, në Epidaur, në Dhamala, pastaj shkoi me det në Athinë, ku u bë shumë i dashur për banorët. E vazhdoi udhëtimin misionar drejt ishullit të Eubesë, ku predikimi i tij pati një sukses të tillë, sa vinin dhe e dëgjonin ditë e natë. Fjalët e tij i siguronte me çudira dhe shërime dhe të shumtë ishin ata që nisnin një jetë të virtytshme e të shenjtë.

Më pas vazhdoi në Thivë e u kthye më këmbë në Korinth, ku predikoi duke imituar modelin e tij të shkëlqyer, shën Pavlin. Pastaj, duke kaluar nga Argosi dhe Nafplio, shpërndau farën e mirë të Ungjillit në Peloponez dhe arriti në Lakedemoni (Spartë), rreth vitit 970. Pushoi disa ditë dhe i rinisi pelegrinazhet e tij. Gjatë rrugës u sëmur rëndë dhe u detyrua të qëndronte në një shpellë, ku u vizitua nga shumë besimtarë dhe bëri që të rridhte për ta një burim me veti shëruese.

Kur e mori veten, banorët e Spartës, viktima të një epidemie shfarosëse, erdhën e i kërkuan ndihmë. Shën Nikoni i çliroi nga epidemia falë lutjes dhe vendosi të kalonte pjesën tjetër të ditëve për të thelluar veprën e tij misionare. U bë shumë i dashur për të gjithë banorët e qytetit; të shumtë ishin ata që shkonin të merrnin shërimin nga të këqijat që i kërcënonin dhe të dëgjonin mësimet e tij. Me bekimin e episkopit të Spartës, Theopemptit, shenjti ndërmori ndërtimin e një kishe të madhe e të shkëlqyer. Të gjithë banorët morën pjesë me zell në punime. Shumë herë, ai pati edhe ndihmën mrekullibërëse të Perëndisë përmes lutjes: zhvendosi shkëmbinj, siguroi materiale që mungonin dhe ushqim për punëtorët; vuajti edhe keqtrajtime nga këta të fundit, se nuk ishin paguar. Kisha përfundoi dhe shenjti deri në fund të jetës së tij predikoi në të dhe priti shumë vizitorë. Në fund të jetës, ngriti një manastir të vogël, ku pranonte dishepujt.

Shën Nikoni shkëlqeu edhe disa vjet me mrekullitë dhe mësimdhënien, pastaj u sëmur dhe u përgatit për largimin nga kjo jetë. Mblodhi nxënësit dhe bashkëpunëtorët, mirëbërësit e shumtë që Hiri i kishte treguar, dhe u dha porositë e tij të fundit, duke iu kujtuar se është urgjente të pendohemi dhe të kthehemi te Perëndia që tani, pasi pas vdekjes s’ka më mundësi pendimi. I ngushëlloi për largimin e tij të afërt duke iu folur për ngjalljen e të vdekurve dhe i porositi të ruanin si të mirën më të çmuar dashurinë për Perëndinë dhe për njerëzit, sepse kjo është lidhja e përsosmërisë (Kol. 3.14). “Largojuni krenarisë, bashkohuni me përulësinë; mos i përbuzni të varfrit; shmangiuni çdo të keqeje, çdo xhelozie dhe kujtimit të fyerjeve; falini vëllezërit tuaj. Shkoni rregullisht në kishë dhe rrëfeni shpesh mëkatet tuaja te priftërinjtë dhe etërit shpirtërorë. Nëse i ruani këto porosi, nuk do t’ju braktis kurrë”. Pasi ia besoi tërë fëmijët e tij shpirtërorë mbrojtjes së Perëndisë, i ngriti edhe një herë duart drejt qiellit dhe dha shpirt (rreth vitit 1000).

Menjëherë u nderua si shenjtor nga banorët e Spartës, u konsiderua si mbrojtës i qytetit dhe lipsani i tij nderohet atje me besim.




Mbrapa

PayPal