Shën Varvara ishte vajza e një pagani të pasur që quhej Dioskur dhe jetonte në Heliapolis të Sirisë gjatë mbretërimit të perandorit Maksimian (284-305). Ajo ishte jashtë mase e bukur dhe i ati e ruante me rreptësi. Një ditë, ndërsa që po bëhej gati të shkonte në një udhëtim të gjatë, ai urdhëroi shërbëtorët ta mbyllnin në një kullë të lartë të pallatit të tij, që të mos e shikonte asnjë burrë. Ai e kishte rritur në pasuri e në bollëk dhe i kishte dhënë një edukatë të madhe, por nuk e kishte ndaluar dot të bijën që të vinte në përdorim inteligjencën e saj të mprehtë, sipas ikonës së Perëndisë që ndodhet te secili prej nesh. Varvara kishte arritur në njohjen e Një Perëndie në Trini, nëpërmjet vëzhgimit të reflektimit të pranisë së Perëndisë në natyrë. Pasi i kishte braktisur me kohë kotësitë e kësaj bote, ajo ndiente një dashuri të madhe në shpirt vetëm për Krishtin, Dhëndrin Qiellor.

Në kohën që Dioskuri ndodhej në udhëtim larg shtëpisë, u ndërtua, sipas porosive të tij, një banjë me dy dritare në këmbët e kullës. Varvara, duke parë punën që po përparonte, u tha ndërtuesve të shtonin edhe një dritare të tretë, kështu që salla e banjës do të ndriçohej nga një dritë e trefishtë, që simbolizon dritën e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë. Kur Dioskuri u kthye në shtëpi, me planet për ta martuar vajzën e tij me një njeri të pasur, ai hasi në refuzimin e saj të prerë. Varvara dëshironte t’ia përkushtonte Krishtit virgjërinë e saj. Ai u zemërua akoma edhe më tepër kur pa se projektit të tij të banjës, i kishin shtuar edhe një dritare sipas urdhrit të saj.

Kur kërkoi shpjegim, Varvara bëri shenjën e Kryqit dhe i tregoi atij tre gishtat e bashkuar, duke i dhënë këtë përgjigje: “Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. E tërë krijesa ndriçohet nga drita unike e Perëndisë dhe mbarë njerëzimi shpëtohet nga kjo shenjë”. Dioskuri, i pushtuar prej një tërbimi të madh, mori shpatën dhe donte t’i priste kokën, por vajza arriti të shpëtonte dhe u strehua në mal, në të çarën e një shkëmbi që u hap në mënyrë të mrekullueshme.

Në fund fare, i ati arriti ta gjente ku ishte dhe ia dorëzoi guvernatorit të krahinës, përpara të cilit ajo rrëfeu besimin e saj të zjarrtë te Krishti dhe u tall me idhujt. E rrahën me kamxhik të bërë nga fije të holla, që iu futën thellë në mish; i dogjën brinjët dhe ia shtypën kokën në mes dy gurësh të rëndë. Kur i dhanë fund torturave të tyre dhe e flakën trupin në një qeli të errët, gjithçka ishte e shformuar dhe ishte kthyer në një plagë të stërmadhe e të gjakosur. Atë natë iu shfaq Zoti Jisu Krisht, i rrethuar nga një dritë e shkëlqyeshme. Zoti e shëroi tërësisht dhe i premtoi se do ta ndihmonte deri në fund të garës së saj.

Ditën tjetër, Varvara u paraqit përpara tiranit për herë të dytë. Ai u habit së tepërmi kur e pa se nuk kishte asnjë plagë dhe e vuri nën tortura të tjera. Urdhëroi t’ia hiqnin rrobat e trupit dhe ta ekspozonin, për ta turpëruar në mes të popullit. Por Zoti nuk deshi të fyhej në këtë mënyrë pastërtia e saj virgjërore dhe prej qiellit ra një lëmsh i madh e i zjarrtë dhe e veshi martiren si me një rrobë drite.

Duke parë durimin e madh të shenjtores dhe mrekullitë e mëdha me të cilat Perëndia shfaqte haptazi mirëpëlqimin e Tij, një grua e re, e quajtur Juliana, deklaroi se edhe ajo ishte e krishterë. Për këtë arsye e kapën dhe i bënë të njëjtat tortura. Në fund guvernatori urdhëroi që të dyja grave t’u pritej koka. Dioskuri, që e kishte ndjekur torturimin e vajzës së tij nga fillimi deri në fund pa mëshirë, i kërkoi guvernatorit të ishte ai xhelati së bijës. Ekzekutimi i tyre u krye mbi një mal aty pranë dhe të dyja vajzat e reja ia ofruan me dëshirë shpirtrat e tyre Zotit në të njëjtin çast. Juliana u ekzekutua nga një xhelat dhe Varvara nga i ati. Por shpagimi i Perëndisë nuk vonoi të vinte, sepse shumë shpejt, ndërsa Dioskuri mizor mori rrugën për në shtëpi, e goditi një rrufe dhe e bëri hi.




Mbrapa

PayPal