
Sofonia, bir i Kushit nga fisi i Simeonit, është i nënti në rendin e profetëve më të vegjël. Ai jetoi në Jerusalem në fillimet e mbretërimit të Josias (640-609 para Krishtit), para se mbreti të fillonte veprën e tij për shkatërrimin e idhujtarisë në mbretërinë e Judesë dhe rivendosjen e lavdërimit të Perëndisë.
Judea, pas pushtimit asirian të Senakeribit (700), kishte humbur pjesë të madhe të territorit të saj dhe kishte rënë në idhujtari e në korrupsion gjatë mbretërimit të keq të Manasiut dhe të Amonit. I dërguar nga Perëndia, profet Sofonia, emri i të cilit do të thotë “Zoti e mbron” ose “Vendi i vëzhgimit të Perëndisë”, u bëri të ditur afrimin e ardhjes së ditës së Zotit, ditës së frikshme dhe të madhe të zemërimit të Perëndisë kundër kombeve idhujtare dhe kundër Jerusalemit, nëse nuk pendohet.
Të gjithë të pabesët e dheut do të konsumohen nga zjarri i ardhjes së Zotit dhe në Malin e shenjtë Sion, pjesa e mbetur e Izraelit, të përulurit dhe të mirët në zemër, që e kanë vënë besimin e tyre në emrin e Zotit, Shpëtimtarit, do të ringrihet dhe do të gëzojë me një gëzim të madh së bashku me gjithë të tjerët nga kombet pagane që do të besojnë te Krishti dhe do të thërrasin emrin e Perëndisë. Në këtë kohë, Zoti do të banojë në Sionin e Ri, Kishën, bijën e Jerusalemit. Ai do të mbledhë të zgjedhurit në dashurinë dhe në gëzimin e Tij dhe do të dhurojë një të kremte të përjetshme.
Mbrapa
