
Nën mbretërimin e shën Konstandinit të madh (330), Mropius, një filozof nga Tiri i Fenikës, ndërmori një udhëtim zbulimi drejt tokave të panjohura të të lashtëve, që gjendeshin në brigjet e Detit të Kuq. Mori me vete dy fëmijë të krishterë, Frumentin dhe Edesin. Një ditë, kur ndaloi në port për të marrë ujë, anija e tyre u sulmua nga piratët dhe të gjithë anëtarët e ekspeditës u masakruan egërsisht, përveç dy fëmijëve. Frumentin dhe Edesin i çuan në oborrin e mbretit të Abisinisë, ku edhe i mbajtën. Atje u dalluan për fisnikërinë e tyre dhe aftësitë që kishin, prandaj u bënë ekonomë të pallatit.
Më pas, Frumentit iu ngarkua edukimi i trashëgimtarit të ri të fronit. Ai kishte favore të mëdha te mbreti, kështu që fitoi lirinë për praktikimin e Krishterimit, i cili tashmë dëshmohej në mbretërinë e Aksumit nga disa tregtarë romakë. Disa vite më vonë, si u kthyen në Bizant, ata treguan aventurat e tyre. Edesi u kthye në Tir, në vendlindjen e tij dhe u bë prift, por Frumenti, i mbushur me zell apostolik, shkoi pranë Athanasit të Madh të Aleksandrisë. I raportoi hierarkut të shenjtë se në cilën gjendje paditurie ishin banorët e atyre krahinave të largëta dhe se sa etje kishin për Lajmin e Mirë. Athanasi, pasi e pa zellin e tij, e dorëzoi Frumentin episkop dhe e dërgoi me mision si episkopi i parë i Abisinisë, rreth vitit 350.
Me ndihmën e Hirit të shenjtë, Frumenti u bë apostull i vërtetë. Përktheu Shkrimin e Shenjtë në gjuhën vendase dhe mësonte pa pushim. Vraponte në qytete e shkretëtira dhe kudo kryente mrekulli e shërime, për t’u treguar idhujtarëve se fjala e Ungjillit ishte fuqi Perëndie. Ktheu në besim një shumicë të madhe idhujtarësh, ndërtoi kisha, por mbretëria e atij vendi u bë më vonë shtet i krishterë, në shekullin e 6-të. Perandori heretik, Konstandi, nuk donte ta linte meritën dhe kontrollin e misionit të largët tek episkopi i Aleksandrisë dhe tek orthodhoksët. Kështu, kur e largoi Athanasin nga froni, i shkroi mbretit të Aksumit, Aizanit, ta dërgonte Frumentin në Aleksandri, ku episkopi arian do ta indoktrinonte. Ky mision u ndërmor nga episkopi heretik Theofil indiani, më 357, por ai u ndal në mbretërinë fqinje të Homeritëve, pa prekur territorin ku ungjillëzonte Frumenti. Episkopi i shenjtë fjeti në paqe më Zotin dhe lipsani i tij kryen shumë çudira. Nderohet si ndriçues i Etiopisë, ku e quajnë “Atë i Paqes”.