Shën Grigori jetoi në shek IX pas Krishtit dhe ishte nga Dekapoli, prandaj u quajt edhe Dekapolit. Me edukimin e tij të krishterë u mor nëna e tij Maria e cila me besimin e saj të gjatë tek Krishti e rriti djalin e saj në përputhje me fjalët e Ungjillit.

Dëshira e vetme e shenjtit ishte të bëhej murg dhe të arrinte përsosmërinë morale. Rëndësi të veçantë i kushtonte vetëpërmbajtjes të cilën e konsideronte si të domosdoshme për pastërtinë e mendjes. Të gjithëve atyre që e pyesnin pse i jepte kaq rëndësi këtij virtyti ai u përgjigjej me fjalët e Shkrimit të Shenjtë: “A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin dhe kushdo që merr pjesë në garë e kontrollon veten tek të gjitha? Ata e bëjnë këtë për të marrë një kurorë që prishet kurse ne për një kurorë që nuk prishet”.

Fshehurazi iku nga qyteti dhe shkoi në një manastir, igumeni i të cilit ishte një episkop i virtytshëm që kishte dhënë dorëheqjen për shkak të ikonomakëve. Më pas shenjti shkoi në një shpellë ku tërë kohën e kalonte në lutje dhe agjërime. Pas një thirrje të perëndishme u largua nga shpella dhe shkoi në Konstandinopojë. Nuk u mjaftua vetëm me jetën murgjërore, por mori pjesë edhe në luftën e ashpër të ikonomakëve. Mundohej që ta ruante të pastër orthodhoksinë me fjalë e me vepra duke dëbuar heretikët.

Ai shpëtoi shumë të krishterë nga ky mashtrim dhe i udhëhoqi në besimin orthodhoks. Pas gjithë këtij aktiviteti qëndroi në Selanik në manastirin e shën Minait. Vdiq në Konstandinopojë nga një sëmundje e rëndë.




Mbrapa

PayPal