Shën Platoni jetonte në Angjira, në Galati, në kohën e sundimit të perandorit Maksimian (285-305) dhe ishte vëllai i martirit të shenjtë Antioku. Ngaqë rrëfente publikisht besimin te Krishti dhe u jepte zemër të krishterëve të qëndronin të fortë gjatë përndjekjes, ushtarët e perandorit e kapën dhe e çuan para qeveritarit Agripini. I pathyer në bindjen e tij, megjithëse ishte i ri, u rrah nga 12 ushtarë, pastaj e shtrinë mbi një shtrat të përvëluar bronzi, ia shqyen mishrat, e dogjën dhe i bënë lloj-lloj torturash. Duke parë si i përballonte tërë këto vuajtje, shumë paganë përqafuan besimin.

Në mes të mundimeve që po hiqte martiri i shenjtë iu lut Perëndisë dhe Fuqitë engjëllore iu përgjigjën: “Amin!”, dhe të gjithë spektatorët dëgjuan këtë dëshmi të mbështetjes së Kishës në qiell për betejat e atletit të shenjtë të Krishtit. Propozimeve të kota të tiranit, Platoni iu përgjigj: “Sepse për mua jeta është Krishti dhe vdekja fitim” (Fil. 1:21). Pas shumë vuajtjesh të tjera, ia prenë kokën dhe ai u nis për te shenjtorët.




Mbrapa

PayPal