
Ati ynë i shenjtë Alipi lindi në qytetin e Andrianopojës, provinca e Pamflagonisë, në kohën e Iraklit (610-641). Kur e ëma ishte shtatzënë, pa vegim një qengj, i cili mbante në vend të brirëve dy qirinj të ndezur, si profeci e hireve hyjnore që do të mbushnin shërbëtorin e Perëndisë.
Jetim nga i ati, e ëma ia besoi episkop Theodhorit, që kur djali ishte tre vjeç, që të shërbente në kishë dhe të mësonte Shkrimet e Shenjta. Fëmija tregoi aftësi dhe devotshmëri të tillë, sa tërhoqi vëmendjen dhe besimin e episkopit, i cili, me rekomandimin unanim të vëllezërve, e ngarkoi Alipin me funksionet e ikonomit të kishës dhe e dorëzoi dhjak kur arriti moshën kanonike. E kryente me përpikëri këtë detyrë të dyfishtë, por shpirti i tij ishte i plagosur nga dashuria për Krishtin dhe dëshironte të bënte një jetë më të përsosur, duke ndjekur rrugën e ngushtë dhe të shtrënguar të jetës murgërore.
Përfundimisht, duke iu bindur zërit të ndërgjegjes së tij, ua shpërndau të mirat të varfërve dhe ia besoi së ëmës planin që kishte për të ikur në Tokën e Shenjtë dhe të bëhej murg. E ëma nuk e kundërshtoi, as donte ta mbante afër vetes, por i ra në krahë duke qarë, lavdëroi Perëndinë për vendimin e guximshëm dhe i dha bekimin. Iku fshehurazi, nga frika se mos e pengonin episkopi dhe banorët e qytetit.
Disa ditë më vonë, kur arriti në Efkaita, ditën e festës së shën Theodhorit (17 shkurt), episkopi e gjeti dhe e detyroi të kthehej në atdhe. E sollën me forcë në botë, por shërbëtori i Perëndisë u ngushëllua me një vegim, përmes të cilit mësoi se dhe në qytetin e lindjes ishin Vendet e Shenjta: Bethlehem, Nazaret, Jerusalem, Golgotha, pasi atje donte Perëndia që ai të ushtrohej. Filloi të kërkonte një vend të izoluar. Arriti në një mal të egër në jug të Adrianopojës, zbuloi një burim falë një vegimi dhe u përgatit të ndërtonte një kishëz dhe më pas do të ngrinte një qeli; por episkopi e donte më afër vetes, që të shërbente në këtë botë për të cilën tashmë ishte bërë i huaj, prandaj bllokoi burimin, që ta detyronte Alipin të zbriste në luginë në një vend më të arritshëm.
Ai vazhdoi kërkimet e veta dhe u fut në një vend të frikshëm për të gjithë banorët e zonës, ku kishte varre të vjetra dhe tempuj paganë, qendra demonësh dhe tmerri për njerëzit. Me gjithë këshillat e të afërmve për të hequr dorë nga plani i tij, Alipi u ngjit në majë të njërit prej këtyre monumenteve të braktisura. Ishte një kolonë (kion), në majë të së cilës ngrihej statuja e një kafshe fantastike, gjysmë dem, gjysmë luan. “Këtu, tha ai, është vendi i prehjes sime!” Dhe u kthye në qytet të kërkonte një kryq e një levë. Me anë të levës, e hodhi statujën përtokë dhe e zëvendësoi me kryqin jetëdhënës, i vendosur për t’i mundur demonët në strofkën e tyre.
Por, kur episkopi do të shkonte te perandori për disa çështje, e detyroi shenjtin ta shoqëronte në udhëtimin e tij. Kur arritën në Kalqedoni, Alipi u fsheh në sallën e lutjeve të Shën Vasës, ngjitur me detin, dhe dremiti derisa episkopi u nis për në Konstandinopojë. Në gjumë iu shfaq shën Efimia (16 shtator), mbrojtësja e Kalqedonisë, e cila e urdhëroi të kthehej në vendin e tij dhe e siguroi se do ta mbronte. Pasi u kthye, shenjti ndërtoi edhe një kishëz kushtuar shën Efimisë, në një vend që iu përcaktua me anën e një vizioni të një personi të shenjtë.
Meqë shenjti nuk zotëronte asgjë, disa miq të tij i siguronin burimet e nevojshme dhe u morën me punët e ndërtimit. Alipi, sado që kishte dëshirë për t’u vendosur mbi shtyllë, ndoqi me bindje këshillat e jerontëve dhe u tërhoq në një qeli të ngushtë, jo larg prej andej, për të punuar për pastrimin e shpirtit të tij me kreshmë, agripni dhe lutje. Ishte 30 vjeç dhe qëndroi dy vjet në këtë qeli, në një betejë të pakursyer kundër demonëve. Ishte i palëkundur para ngacmimeve të tyre të këqija dhe i dëbonte me shenjën e Kryqit dhe me anë të fjalëve të zjarrta të Shkrimit të Shenjtë.
Shërbëtori i Perëndisë u bë menjëherë i njohur dhe, megjithëse nuk donte të turbullohej në aktivitetin e tij të shenjtë, u detyrua të pranonte shumë besimtarë që shkonin për të marrë bekimin e tij. I butë, i kujdesshëm me këdo, që nga fëmija deri te plaku, nga i varfri deri te i pasuri, nuk linte asnjë të largohej pa qenë i mbushur me gëzim shpirtëror. Por vuri re se kjo i bënte keq shpirtit të tij, prandaj vendosi të ngjitej në majën e shtyllës, duke u mbrojtur nga paqëndrueshmëritë e motit nëpërmjet një çatie të vogël, bërë me disa dërrasa. Vendi ku qëndronte ishte kaq i ngushtë, aq sa nuk mund të shtrihej, as të ulej, por rrinte vetëm në këmbë, duke luftuar kundër të nxehtit, të ftohtit, shiut, erës. Ndërkohë që martirët vuanin për disa çaste, shën Alipi martirizohej përditë për 53 vjet me radhë, duke dhunuar çdo ditë natyrën njerëzore. Demonët xhelozë u tërbuan nga ai dhe i hidhnin gurë.
Një ditë, duke dashur t’u tregonte se trupat e tyre ishin më të pafuqishëm nga ata të luftëtarëve të Krishtit, i kërkoi një sëpatë së ëmës që rrinte rrëzë shtyllës dhe e rrëzoi përdhé çatinë, që t’u ekspozohej gjuajtjeve me gurë të demonëve, nëse ishte ky vullneti i Perëndisë dhe të vdiste si Stefani, martiri i parë. I frikësuar nga ky guxim dhe besim i palëkundur te Perëndia, demonët e braktisën atë vend, duke vajtuar për humbjen që pësuan.
I ekspozuar ndaj shikimeve të njerëzve si llamba në mbajtësen e saj, shenjti shkëlqeu me virtytet e tij (Matth. 5.14-16). E kishte mposhtur dashurinë për veten dhe egoizmin dhe, si apostujt, ishte bërë lojë në botë, në engjëjt e në njerëzit nga dashuria për Krishtin (I Kor. 4.9). Turma njerëzish vraponin te shtylla dhe kërkonin ndërmjetimin e shenjtit. Disa qëndruan aty për t’u bërë nxënës të stilitit. E para ishte një grua e shquar me emrin Efimia dhe shpejt erdhi ta takonte një tjetër grua fisnike, Euvula, e cila u bë kryetare e manastirit, të ndërtuar pas pak kohësh atje. E ëma e shenjtit, e cila ende e kishte dobësinë e natyrës së saj si nënë, e kishte ndjekur pas dhe e kishte ndihmuar të birin në përmbushjen e betejave të tij, u fut dhe ajo në manastir, por pa veshur skimën murgërore, sado që biri i saj e donte këtë gjë. Ishte kaq e përkushtuar sa, duke pasur si detyrë të ndante lëmoshat, u jepte të varfërve madje dhe nga më të domosdoshmet për mirëmbajtjen e manastirit.
Pak kohë më vonë, disa burra i kërkuan shenjtit të qëndronin pranë tij dhe ai themeloi një manastir nga ana tjetër e shtyllës. Ishte një pamje e admirueshme të dëgjoje 7 herë në ditë korin e virgjëreshave dhe atë të murgjve që lavdëronin Perëndinë dhe të shikoje shenjtin që rrinte mes tyre si engjëll.
Shumë herë, dëshmitarë të ndryshëm panë një dritë qiellore që shkrepëtinte në majë të shtyllës, shoqëruar me vetëtima dhe bubullima. Shenjti kishte dhuntinë e profecisë, shëronte të sëmurët, pajtonte armiqtë, mësonte misteret e Urtësisë hyjnore: qoftë drejtpërdrejt, qoftë me letra; u bë një për të gjithë që t’i fitonte të gjithë më Krishtin (I Kor. 9.22). Një herë, për të ndihmuar një të varfër, i hodhi tunikën e tij që lart nga shtylla dhe vetë ndenji i zhveshur në të ftohtë, derisa e vuri re një i mbyllur i manastirit të burrave dhe e ndihmoi. Hiret e tij u shpërndanë mbi dishepujt, prandaj vinin shumë që t’i tërhiqnin në manastirin e tyre apo për t’i bërë episkopë nëpër kisha.
Pas 53 vjetësh betejash heroike, gjysma e trupit të shenjtit ishte paralizuar dhe këmbët iu prenë, prandaj për 14 vjet u detyrua të rrinte shtrirë në njërën brinjë, pothuajse pa lëvizur. Njëkohësisht vuante nga një plagë e rëndë dhe, si një Jov tjetër, lavdëronte Perëndinë (Jov. 1.21). Kur fjeti, në moshën 99-vjeçare, populli erdhi për ta nderuar dhe një i demonizuar u shërua kur u afrua pranë tij.