
I lumuri Klement jetoi në Romë në kohën e sundimeve të njëpasnjëshme të Dometianit (81), Nervës (98) dhe Trajanit (117). Sipas disave, vinte nga një familje princash dhe u bë dishepull i apostujve dhe i vetë shën Petros: “Predikimi i tyre jehonte në veshët e tij, tradita e tyre ishte ende para syve të tij”, shkroi për të shën Irineu. Kishte zell apostolik dhe e hirotonisën episkop të Romës (rreth 91), pas shën Linit dhe shën Anaklitit. Disa thonë se ai ishte episkopi i parë i Romës. Megjithatë, për këtë nuk ka ndonjë kundërshtim, sepse në këtë periudhë dinjiteti i episkopit nuk dallohej qartë nga ai i Plakut (presviterit) dhe Lini, Anakliti dhe Klementi, tre nxënësit e apostujve, më të rëndësishmit atëherë për Kishën e Romës, e kanë kryer vazhdimisht dhe periodikisht këtë detyrë.
Shën Klementi në predikimin e tij ndiqte shembullin e apostull Petros. I përulur dhe i butë, i zhytur në njohjen e Shkrimeve të Shenjta, por dhe në dijet helene, dinte të bindte judenjtë dhe paganët duke iu folur për mëshirën e pafundme dhe për Mbretërinë e përjetshme, premtuar atyre që përqafojnë me besim rrugën e pendimit. Është autori i një letre të shquar drejtuar Korintasve, që dikur ishte renditur në Kanonin e Shkrimeve të Shenjta, ku i nxit anëtarët e rinj të komunitetit të atjeshëm, të cilët kishin bërë kryengritje kundër pleqve, të ruanin unitetin e Kishës, duke respektuar hierarkinë që u caktua nga apostujt. I atribuojnë edhe shkrime të tjera: Kanunet e Apostujve të Shenjtë, Kushtetutat Aposto- like dhe një letër të dytë Letër drejtuar Korintasve; por vërtetësia e tyre është e dyshimtë.
Gjatë predikimeve të tij, shën Klementi arriti të kthente Theodhorën, gruan e prefektit Sisinius, mik i ngushtë i perandorit Nerva dhe e drejtoi Sisiniusin në Pagëzimin e Shenjtë, pasi më përpara e kishte shëruar nga verbëria. Kur konti Puplius e pa këtë, si dhe përhapjen e Krishterimit në rrethe paganësh, e dëboi me urdhër të perandorit Trajan në Kersonin Tavrik (Krime), krahinë e egër që ndodhej në skajet e largëta lindore të perandorisë. Episkopi i shenjtë u gjet mes 2 000 të krishterësh të dënuar në punë të rënda në nxjerrjen e mermerit. I ngushëlloi dhe bëri që të buronte ujë nga shkretëtira. Edhe atje fjala e tij ktheu paganë dhe tregohet se për një vit ndërtoi 75 kisha. Por perandori dërgoi një guvernator mizor, që t’i pengonte kthimet e shumta. Ai e nisi duke goditur së pari shën Klementin. Pasi e torturuan urdhëroi që t’i varnin një spirancë në qafë dhe ta hidhnin në Detin e Zi, në mënyrë që besimtarët të mos ia gjenin trupin (rreth vitit 97).
Megjithatë, Perëndia nuk e la grigjën e tij krejt vetëm. I dëgjoi përgjërimet e saj dhe në mënyrë të çuditshme bëri që të tërhiqeshin ujërat dhe të krishterët të mund të gjenin trupin në fund të detit, më shumë se 300 metra nga bregu. Që atë ditë, çdo vit, ditën e festës së tij, deti tërhiqej, që besimtarët të shkonin e të nderonin lipsanin e shenjtë.
Shumë vite më vonë, më 860, apostulli i sllavëve, shën Kirili (11 maj), u dërgua nga patriarku i Konstandinopojës, shën Foti, në Kerson që të pagëzonte atje popullsinë sllave. Ai gjeti edhe lipsanin e shën Klementit dhe një pjesë të tij e transferoi në Bizant. Më pas, ai çoi lipsanin e shenjtorit në Romë, te papa Adriani II. Kjo lidhje e krijuar me një nga episkopët e parë të Romës do të ishte e një rëndësie të madhe për devotshmërinë ruse dhe do të lejonte të rrënjosej edhe më shumë në traditën apostolike.