
Lindi në Tver më 1272 dhe ishte i biri i princit Iaroslav, vëllai i shën Aleksandër Nevskit. U edukua me virtytet e krishtera nga nëna e tij, e cila më vonë u bë murgeshë me emrin Ksenia. Meqë kishte jetuar që i vogël si murgjit, dëshironte të bëhej i tillë ose të martirizohej. Më 1285 u bë princ pas vëllait të madh. U martua me princeshën Ana Dimitrievna të Rostovit, më 1294 dhe pati katër djem e katër vajza.
Më 1304, u thirr që të bëhej princi i madh i Vladimirit, kryeqytet i Rusisë gjatë pushtimit mongol dhe fron i mitropolitit të Kievit. Por u privua nga kurora për shkak të intrigave politike të të afërmit të tij, princit të Moskës Georgi Danieloviç. Këshilltarët e nxitën të luftonte kundër tij, por Mihaili refuzoi dhe preferoi më mirë të linte pushtetin, sesa të derdhej gjaku i popullit. Por, kur princi i Moskës kërkoi të merrte me luftë Tverin, atëherë Mihaili u nis për luftë kundër kushëririt të tij. Fitoi, por e fali princin ambicioz.
Mes shumë robërve që zuri ishte edhe princesha Agathi, gruaja e Georgit. Ajo vdiq aksidentalisht dhe kjo ndezi tërbimin e Georgit, i cili nxiti kundër vëllanë e Agathisë, kreun e tartarëve. Kërkuan që Mihaili të shkonte për t’u gjykuar në oborin Hordhisë së Artë të tartarëve. Të afërmit e princit, duke qenë të sigurt për një fund të keq, i kërkuan shenjtit të fshihej, por ai, pas një bisede me atin e tij shpirtëror, pranoi të shkonte atje dhe të vdiste, që të kursehej populli i tij.
Tartarët e burgosën duke i vënë në qafë një zgjedhë të rëndë druri, e cila i bllokonte krahët, por megjithatë i kaloi ditët në lutje dhe psalme. Duke u gdhirë 22 nëntori i vitit 1318, atij iu zbulua vrasja e ardhshme. U kungua, hapi psaltirin dhe lexoi fjalët që profeti thotë në lidhje me vuajtjen e Krishtit: “Zemra ime është e tronditur brenda meje, dhe ankthet e vdekjes ranë mbi mua” (Ps. 54.5). Por ai shton: “Hidh mbi Zotin barrën tënde dhe ai do të të mbajë, nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet” (Ps. 54.22).
I mbushur me kurajë dhe shpresë, priti me qetësi Georgin dhe njerëzit e tij, të cilët u sulën mbi të si bisha dhe e vranë me shpatë, pasi e kishin torturuar brutalisht.
Kur e kthyen në Moskë, lipsani i shenjtorit bëri shumë mrekulli dhe më 6 shtator 1320 u transferua solemnisht në Tver. Më 1549, shën Mihaili u shfaq si një kalorës për t’u dhënë zemër banorëve të qytetit të rrethuar nga lituanët dhe polakët.