Shën Ludmilla ishte gjyshja e shën Viaçeslavit (Vençeslavit), princit të çekëve (28 shtator) dhe gruaja e princit Borivoi. Ajo dhe burri i saj mësuan rreth besimit të krishterë dhe u pagëzuan nga episkopi i shenjtë Metodi, ndriçuesi i sllavëve (11 maj). Me besim të flaktë, princi dhe princesha bënë gjithçka mundën për të inkurajuar popullin e tyre të bëhej i krishterë. Ata ndërtuan kisha në mbarë vendin e tyre dhe u kujdesën për të mbështetur priftërinjtë që do të shërbenin në to.
Princi Borivoi fjeti në moshën 36-vjeçare, pasi i dha Ludmillës tre djem dhe një vajzë. Ludmilla pranoi vejërinë si vullnet të Perëndisë dhe e duroi këtë humbje me shumë kurajë. Ajo e shkëputi veten nga përsiatjet e kësaj bote dhe ua ndau pasurinë të varfërve. Biri i saj Vratislavi u ngjit në fron dhe udhëhoqi popullin për njëzet e tre vjet me radhë.
Kur vdiq, u pasua në fron nga biri i tij, Viaçeslavi (Vençeslavi), të cilin gjyshja e tij, Ludmilla, e rriti me besimin e vërtetë dhe dashuri për virtytet e shenjta ungjillore. Por gruaja e Viaçeslavit ushqente urrejtje të madhe për shën Ludmillën dhe dërgoi dy bojarë për ta mbytur atë në kështjellën e Tetinit (tani Deçini), ku ajo ishte tërhequr për t’iu shmangur mosmarrëveshjeve.
Shën Ludmilla mori palmën e martirizimit më 920, kur ajo ishte gjashtëdhjetë e një vjeçe. Kështu në varrin e saj ndodhën shumë mrekulli, prandaj dhe princi Viaçeslav e solli trupin e saj në Pragë, ku nderohet edhe sot në kishën e Shën Gjergjit.




Mbrapa

PayPal