Shën Efimia jetoi gjatë periudhës së Dioklecianit (mes viteve 284 – 305). Lindi në Kalqedoni nga prindër të pasur e të perëndishëm, të cilët e edukuan me dashurinë për Krishtin. Në këtë kohë, një farë Priski u bë kryekonsull i Azisë. Për festën e perëndisë së tij, ai dënoi me vdekje banorët e krahinës që nuk vinin të festonin me të. Të gjithë të krishterët u fshehën në shtëpi e në shkretëtira, që t’i shpëtonin tiranit. Edhe shën Efimia u fsheh bashkë me 49 të krishterë të tjerë, mes të cilëve shkëlqente nga virtyti. U zbuluan dhe u paraqitën para konsullit, i cili u përpoq t’i bindte me lajka. “Mos e harxho kohën dhe fjalët më kot me ne”, iu përgjigjën shenjtorët “ne jemi njerëz të pajisur me arsye, për të cilët nuk do të ketë fatkeqësi më të madhe sesa të braktisnin Perëndinë e vërtetë, Bërësin e qiellit dhe të dheut, për t’iu falur idhujve të marrë dhe pa jetë. Ne nuk ua kemi frikën torturave me të cilat po na kërcënon. Ato do të jenë të lehta për ne që t’i durojmë dhe kanë për të treguar fuqinë e Perëndisë”.
Këto fjalë e tërbuan kryekonsullin dhe vendosi të torturojë shën Efiminë dhe shokët e tjerë 20 ditë rresht, pa pushim. Meqë Efimia kryesonte grupin, e morën dhe ia dogjën gjymtyrët në rrota hekuri. Por shenjtorja iu lut Zotit dhe me fuqinë e Krishtit u shërua dhe nuk kishte asnjë vragë në trup. Më pas, Efiminë e hodhën në një furrë të ndezur. Një engjëll i Zotit e mbrojti nga flakët. Xhelatët, Viktori dhe Sostheni të mahnitur nga çuditë që ndodhën, besuan te Krishti dhe vdiqën si martirë disa ditë më pas nën thonjtë e bishave.
Shenjtores iu desh të duronte edhe shumë tortura të tjera, prej të cilave e shpëtoi Perëndia në çdo rast, duke treguar kështu se hiri është më i fortë se çdo torturë apo ligësi që njeriu mund të mendojë. Në fund, shenjtoren e hodhën tek egërsirat, dhe Efimia dorëzoi shpirtin e saj pasi e kafshoi vetëm një herë një ari.
Kur persekutimi i Dioklecianit mori fund, të krishterët morën trupin e shenjtores dhe e vendosën në një sarkofag ari, në kishën kushtuar asaj. Ditën e festës së saj, nga varri rridhte rregullisht një çurkë gjaku, që lëshonte aromë qiellore. Pikërisht në këtë varr u krye mrekullia në Sinodin e Kalqedonisë (451), që kremtohet më 11 korrik, ku u hodh poshtë tomosi i heretikëve. Lipsani i saj mblidhte një numër të madh pelegrinësh për shekuj me radhë. Në vitin 616 ai u transferua në Konstandinopojë në kohën e invazionit pers dhe qëndron i paprekur edhe sot në kishën e Patriarkanës në Fanar.




Mbrapa

PayPal