Lindi në Kiev dhe që i ri u bë murg në manastirin e Kudovit në Moskë. Më pas shkoi në një vend të shkretë, në një pyll të dendur rreth 15 km nga Medina, në krahinën e Kalugës. Jetoi në asketizëm për vite të tëra dhe shkëlqeu si një yll si nga shenjtëria, ashtu edhe nga jeta dhe mrekullitë. Jetonte në një zgavër të një lisi dhe ushqehej me bimë dhe pinte ujin e një pusi që kishte gërmuar vetë atje afër.

I butë e i mirë, njeriu i Perëndisë pranoi pranë vetes dy nxënës, Fotin dhe Gjerasimin, tek të cilët transmetoi përvojën në artin e pastrimit të shpirtit. Edhe pse ishin të varfër, nuk pranonin asnjë dhuratë, por me fuqitë e tyre kultivonin një tokë jopjellore që kishin. Nuk kishin kuaj, por një karrocë që e tërhiqnin vetë. Me gjithë këto kushte të vështira, shumë njerëz që dëshironin jetën murgërore erdhën pranë tij dhe i kërkuan të ngrinte një manastir.

Një herë, gjatë një gjuetie, pronari i tokave përreth gjeti shenjtin dhe e detyroi të largohej nga vendi, por menjëherë iu paralizua dora. I mjeri e kuptoi gabimin dhe i kërkoi shenjtit ta shëronte. Zoti i dha Tihonit atë çka ishte e domosdoshme për ndërtimin e manastirit. Kështu ai themeloi manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses, ku qëndroi deri në pleqërinë e tij igumen i saj.

Fjeti në paqe më 1492. Manastiri u shkatërrua më 1610 gjatë kohës së turbullimeve, por sërish u restaurua. Falë mbrojtjes së shën Tihonit, ai qëndron deri sot një qendër pelegrinazhi.




Mbrapa

PayPal