Shën Zinovi dhe motra e tij, Zinovia, vinin nga qyteti i Egjeit, në Kiliki. U rritën me mësimet ungjillore nga prindër të perëndishëm dhe kur këta vdiqën, të tërë pasurinë e shpërndanë te të varfrit. Zinovi, i cili kishte mësuar shkencën e mjekësisë, shëronte falas të gjithë ata që vinin pranë tij, duke përdorur shumë pak ilaçe dhe këshillonte të thoshin në lutje emrin e Jisuit, i Cili është i vetmi që mund të shpëtojë në këtë jetë dhe në tjetrën.

Rreth vitit 290, perandori i pamëshirshëm Dioklecian dërgoi në Kiliki Lisian, një prefekt të urryer dhe të papajtueshëm për të persekutuar të krishterët. Kur Lisia dëgjoi për çuditë e Zinovit, i cili për hir të dashurisë dhe dhembshurisë që kishte për të gjithë, ishte zgjedhur episkop i Egjeit, e thirri përpara gjykatës që të mohonte Krishtin, me mendimin se kështu do të vepronte e tërë dioqeza e tij. Shenjtori nuk iu frikësua torturave, madje pohoi Krishtin dhe se dëshira e tij e vetme ishte të vdiste për Të, që të fitonte jetën e përjetshme. E shtrinë në një trekëmbësh dhe ia shqyen tërë gjymtyrët e trupit.

Kur motra e tij, Zinovia, mësoi për arrestimin e të vëllait, vrapoi në vendin e torturave dhe kur pa ato skena nuk mundi dot ta përmbante zemërimin kundër qeveritarit. Ky i fundit u përpoq ta zbuste, por pastaj e kërcënoi se do ta keqtrajtonte dhe do ta shndërronte në turp para njerëzve. Asgjë nuk e bindi. E morën edhe atë dhe bashkë me vëllain i shtrinë në dy shtretër hekuri mbuluar me thëngjij. Mbetën të paprekur, sepse një vesë hyjnore i freskonte. I hodhën në një kazan me ujë që vlonte. Pastaj i nxorën jashtë qytetit dhe ia prenë kokën, duke iu vënë kështu kurorën e martirëve.




Mbrapa

PayPal