
Shën Matrona jetoi rreth shekullit XV. Lindi në një fshat të ishullit Hio nga prindër besimtarë dhe të mirë. Që fëmijë, zelli hyjnor e digjte përbrenda dhe shpejt mësoi për gjërat e shenjta. Braktisi atdheun, prindërit, pasuritë dhe u bë e huaj për hir të dashurisë për Atë që u bë i huaj dhe banoi ndër ne për shpëtimin tonë.
Pasurinë që la në atdhe e dha për të varfrit dhe për ndërtimin e një kishe. Por gjatë punimeve për ndërtimin e saj, brenda në tokë u zbulua një thesar. Dyshoi se mund të ishte një kurth i të ligut, u lut dhe menjëherë ari u kthye në një grumbull qymyri. U lajmërua me një shenjë hyjnore që të mos ndërtonte kishë në atë vend, por një ndërtesë për të sëmurë e të huaj.
Puna e saj ishte lutja, himnimi, kreshma, punët asketike, lotët. Në të vërtetë, vetëm lotët shpirtërorë mund të freskojnë zemrën e përflakur nga dashuria për Perëndinë. Fryma e saj ishte bërë tashmë qiellore, e pastruar vazhdimisht në Perëndinë, madje i tërë trupi i shkëlqente.
Në këtë periudhë barbarët kishin pushtuar ishullin Hios dhe po mbillnin kudo terror e fatkeqësi. Një prej tyre hyri një ditë në manastirin ku Matrona jetonte bashkë me nxënëset e saj dhe tentoi të sulmonte një nga murgeshat, po zemërimi i Perëndisë nuk vonoi, e goditi barbarin, i cili ra përdhe i vdekur. Kur shenjtorja e pa se si u katandis, i erdhi keq dhe iu lut Zotit ta ngjallte e t’i jepte rast për pendim. I vdekuri u ngrit sikur të flinte dhe erdhi në vete për atë që bëri. Kjo mrekulli u përhap në tërë ishullin, madje kur barbarët e dëgjuan, i zuri frika dhe i lanë të qetë të krishterët.
Pasi kaloi jetën tokësore, shën Matrona fjeti në paqe dhe u la besnikëve orthodhoksë trupin e saj të çmuar si thesar dhe si burim shërimesh e mrekullish për ata që i afrohen me besë.



Mbrapa
